Politike
Berisha: Në historinë e lirisë, 2 korriku do mbetet gjithmonë një ditë frymëzim
“Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta ju qëndrestare dhe qëndrestarëve të kauzës së drejtë, kauzës së lirisë, dinjitetit, shpresës dhe të ardhmes së shqiptarëve. Në historinë e lirisë, të përpjekjeve të kombit shqiptar, 2 korriku do mbetet gjithmonë një ditë frymëzimi, një ditë e ndritur për çdo shqiptar. Me 2 korrik të vitit 1990, në një kohë kur diktaturat komuniste kishin rënë njëra pas tjetrës në vendet e Europës ish-komuniste, në Shqipëri vazhdonte diktatura, e cila gjatë ditës fliste për demokraci, por në kufijtë e vendit ekzekutonte të rinjtë çdo javë dhe jo vetëm i ekzekutonte, por zvarriste trupat pa jetë të tyre në rrugët e qyteteve të vendit për të mbjellur terror te popullata.
Në këto kushte, kur Shqipëria dukej tërësisht e harruar, kur në arenën ndërkombëtare flitej që të mbetet Shqipëria si Kuba e Adriatikut, kur në të vërtetë në tërësi nuk parashikonte njeri ndryshimin, të rinjtë, kryesisht punëtorët e Tiranës, por edhe të përndjekurit politikë dhe intelektualë mendonin ndryshe. Me guxim epik, ata përsëritën por në kushte të një rreziku shumë e shumë herë më të madh, atë skenar që gjermano-lindorët përsëritën në ambasadat gjermane në Çekosllovaki dhe Hungari. Pra, ata përmbysën Perden e Hekurt në Tiranë, përmbysën Murin e Berlinit dhe hynë si heronj të vërtetë çlirimtarë në ambasadat e vendeve perëndimore.
Ky ishte një akt heroizmi të jashtëzakonshëm. Secili prej tyre mund të binte tek kalonte murin e ambasadës nga breshëritë e policisë sekrete shqiptare apo forcave të tjera të sigurisë. Por kjo nuk i pengoi ata. Me mijëra prej tyre mbushën oborret dhe ndërtesat e përfaqësive diplomatike dhe mbi të gjitha ndërtesën e ambasadës gjermane, ambasadori i të cilit u dëshmua një mik i madh i lirisë së shqiptarëve, Verner Daum. Ky diplomat nuk mendonte se Shqipëria duhej të mbetej Kuba e Adriatikut. Ai mendonte se shqiptarët duhet të ndihmoheshin që të përmbysnin diktaturën e tyre komuniste,” tha Berisha.