Politike
Berisha në Kavajë: Do dyfishojmë fondin për komunitetet fetare

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ishte i pranishëm sot në Kishën Ortodokse të Kavajës, nga ku uroi të gjithë besimtarët për festën e Pashkës. Berisha premtoi nga atje se në rast se PD vjen në pushtet do të dyfishojnë fondin për komunitetet fetare. Ai shtoi se prioritet i tyre do të jetë edhe zgjidhja e çështjes së pronave.
Berisha tha se kanë marrë angazhim që në 4 vitet që vijnë, çështja e pronave të marrë përgjigje përfundimtare, duke angazhuar kështu të gjithë potencialin që ka qeveria, sipas tij, në të gjitha aspektet financiare, rikthime fizike, kompensime fizike.
“Vazhdojnë dhe sot, dhe për fat të keq dua ta them, që pronat e komuniteteve fetare janë viktimat e para. Ato i kanë plaçkitur, i kanë grabitur, por ne do të qëndrojmë 100% me vendosmërinë më të madhe. Ne e kemi çështjen e zgjidhjes së pronave dhe të të përndjekurve politikë, duhet me çdo kusht që shoqëria të ndahet nga ato padrejtësi që janë bërë në të shkuarën. Të bëhet e drejta, të bëhet ligji që i njeh. Unë kam mirënjohje të pakufishme për ju”, tha Berisha.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Një për Ju dhe një për fitoren e 11 Majit! Të gjithë besimtarëve ortodoksë të Shqipërisë dhe të Kavajës, Gëzuar! Jam shumë i nderuar dhe gëzuar që jam sot këtu tek Ju. Histori ringjallje e plotë, pas Krishtit mbret, besimet fetare kanë Ringjalljen e dytë në Shqipëri. Kjo është e vërteta dhe meritat tuaja janë shumë të mëdha. E ngritët nga hiri në kushte shumë të vështira. Themi atë që është, sepse psikologjia ateiste është psikologjia më fatkeqe e njeriut, e cila e përjashton njeriun nga disa shtylla bazë të ndërgjegjes njerëzore. Kështu që përkushtimi ndaj Zotit dhe ndaj njeriut bëri që këto institucione të ngrihen nga shkrumbi dhe janë një faktor shumë i fuqishëm sot, pikërisht jo vetëm, padiskutim në ushqimin shpirtëror dhe në mësimet e librave të shenjtë të Zotit, por janë një faktor i fuqishëm edhe në atë që ne e quajmë dhembshuri njerëzore.
Pasi kudo, dora e tyre, dora e kishave, dora e xhamive, e teqeve, tek ata që janë në gjendjen më të pamundur, është reale në të gjitha mundësitë. Unë e kam deklaruar edhe më përpara, ajo që ne do bëjmë, dy gjëra, do përpiqemi dhe do i bëjmë. Së pari do të dyfishojmë fondin që kemi për komunitetet fetare, fondin buxhetor. Ne e patëm vendosur në atë kohë në buxhet një fond për komunitetet fetare dhe këtë fond e ndanin vetë në komitetin e tyre. Por ky fond ka mbetur aty ku ishte dhe ne do e dyfishojmë atë, se është e domosdoshme të dyfishohet. Së dyti, brenda këtij mandati që vjen në rast se qytetarët shqiptarë votojnë, ne do të zgjidhim përfundimisht problemin e pronave me përparësi absolute për institucionet fetare, por edhe për të gjithë shqiptarët. Ne kemi marrë angazhim që në 4 vitet që vijnë, çështja e pronave të marrë përgjigje përfundimtare, duke angazhuar kështu të gjithë potencialin që ka qeveria në të gjitha aspektet financiare, rikthime fizike, kompensime fizike, por shoqëria duhet të ndahet nga ato padrejtësi të krijuara, shumë të mëdha.
Vazhdojnë dhe sot, dhe për fat të keq dua ta them, që pronat e komuniteteve fetare janë viktimat e para. Ato i kanë plaçkitur, i kanë grabitur, por ne do të qëndrojmë 100% me vendosmërinë më të madhe. Ne e kemi çështjen e zgjidhjes së pronave dhe të të përndjekurve politikë, duhet me çdo kusht që shoqëria të ndahet nga ato padrejtësi që janë bërë në të shkuarën. Të bëhet e drejta, të bëhet ligji që i njeh. Unë kam mirënjohje të pakufishme për ju. Ne komb me shumë probleme, por një thesar e kemi të paçmuar, edhe këtë thesar të paçmuar e kemi në radhë të parë në sajë të mençurisë, shpirtmadhësisë të udhëheqësve fetarë të cilët prijnë drejt tolerancës, mirëkuptimit, bashkëpunimit dhe kjo në fakt, ka dhe kombe të tjera që kanë disa besime, por askund më në harmoni se në Shqipëri nuk janë. Një harmoni natyrale, native.

