Politike
Berisha në Tropojë: Edi Rama ju ka diskriminuar

Kreu i Rithemelimit, Sali Berisha gjatë një takimi me simpatizantët demokratë në Tropojë, ka akuzuar qeverinë për diskriminim të trevave të veriut të Shqipërisë, duke i lënë pa investime të rëndësishme që nxisin zhvillimin. Berisha tha se i njëjti diskriminim i qeverisë shtrihet në të gjitha qytetet e veriut të vendit, ndërsa premtoi se në rast se do të vinte në pushtet, projekti i parë i tij do të ishte autostrada e bregut të Drinit e ndjekur nga hekurudha Kosovë-Shqipëri dhe njohja e dyshtetësisë për shqiptarët e të dy vendeve.
Mes të tjerash, ai kërkoi që kryetari aktual i bashkisë së Tropojës Rexhë Byberi t’i heqë titullin e ‘qytetarit të nderit’ ish agjentit të FBI-së, Charles McGonigal duke e konsideruar këtë të fundit si ‘qytetar turpi’ dhe tradhëtar të SHBA-ve.
“Edi Rama ka kontraktuar kompani që janë specializuar për të bërë shpifje dhe lajme të rreme sepse do të shpëtojë nga faktet e plaçkitjeve të tij. Ndaj edhe fushata është mision. Rexhë, po vazhdove, nuk ndalesh në gabimin tënd. Mirë është që para se të ikësh, atij faqeziu, tradhëtarit të kombit amerikan, t’ja heqësh urgjent atë qytetari nderi sepse është qytetar turpi. Të garantoj se miku yt Edi Rama do ketë fatin e tij. Ai do përfundojë siç përfundoi McGonigal”-shtoi Berisha.
Ish kryeministri tha se zgjedhjet lokale të 14 majit janë zgjedhjet më të rëndësishme në historinë e vendit, ndërsa bëri thirrje që qytetarët e Tropojës të votojnë Besnik Dushën si kryetar bashkie.

