Politike
Berisha paralajmëroi protestë! Basha: Po përgatitet të sulmojë selinë tonë
Reagim i Partisë Demokratike të Shqipërisë
Partia Demokratike nuk do të jetë kurrë e hapur për trafikantët e drogës që shoqërojnë Sali Berishën në sulmin që po përgatit kundër Partisë Demokratike për të vendosur hallin e tij mbi të ardhmen e gjithë demokratëve. Çdokush e ka të qartë se gjuha dhe aktet e tij kanë qëllim të nxisin dhunë, si opsionin e vetëm që i ka mbetur. Sali Berisha mund të shoqërohet me trafikant droge të shpallur non-grata në Mbretërinë e Bashkuar, pjesë e organizatës kriminale B9. Mund t’i ftojë në shtëpi, familjarët e tij mund të bëjnë edhe biznes me pasuri të paluajtshme me ta në një skemë të pastër pastrimi parash, si dhe mund të ndajnë edhe fitimet nga bizneset me lojrat e fatit, por kurrë nuk kanë për t’u lejuar më të bëjnë biznes me sakrificën e demokratëve. Kurrë më!
Kasafortizimi dhe bunkerizimi nuk janë metoda të Partisë Demokratike, por të celulave ilegale që të vetmin merak kanë karriket dhe zyrat e tyre. Punimet dhe mirëmbajtja në seli këtë fillimviti bëhen në funksion të riorganizimit dhe rifreskimit të strukturave qendrore të partisë. Selia qendrore e Partisë Demokratike ka qenë dhe do të jetë gjithmonë e hapur për demokratët e sakrificave dhe kontributeve, por e mbyllur për ata që e kanë mbajtur peng Partinë Demokratike gjatë gjithë këtyre viteve me shpresën se mund ta përdorin për t’u fshehur, mbrojtur apo rregulluar punët e tyre të pista.