Politike
Berisha për gjyqtaren Xhaferrllari: Të largohet nëse ka shkelur ligjin! Alibeaj: Hakmarrje
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha komentoi sërish sot gjyqtaren e Gjykatës Kushtetuese, Marsida Xhaferrllari. Në një konferencë me gazetarët nga selia blu, Berisha u pyet edhe për kallëzimin që anëtarja e kryesisë së PD, Adriana Kalaja depozitoi në SPAK për bashkëjetesën e Xhaferrllarit me deputetin Enkelejd Alibeaj. Në fjalën e tij, Berisha tha se nëse ajo ka shkelur ligjin dhe integritetin kushtetues duhet të largohet. Për kryedemokratin, çështjet personale duhet që të mbeten të tilla, por edhe duhet që të respektohet ligji.
“Qëndrimet e mia ndaj kësaj gjykatëseje janë shprehur dhe po i përqendroj në këtë sentencë. Për PD-në, nuk përbën, nuk ka asnjë problem pse gjykatësja bashkëjeton me atë që do të bashkëjetojë. Por Shqipëria ka një ligj prej shumë vitesh dhe ky ligj njeh bashkëjetesën. Ky ligj jo vetëm legjitimon, por njeh bashkëjetesën dhe për rrjedhojë të gjitha detyrimet që rrjedhin nga bashkëjetesa. Tani, në qoftë se kjo zonjë bashkëjeton me një njeri, mos harro se ajo ka statusin e gjykatëses kushtetuese, dhe këtë e fsheh, ajo është në shkelje të rëndë të ligjit, por edhe më shumë se të ligjit. Ajo është e detyruar ta deklarojë, në konceptin tim, dhe pas deklarimit të kësaj, këtu nuk ka asnjë lloj problemi tjetër. Sepse duhet të respektojë ligjin. Ju kujtohet ju para disa viteve, kjo çështje ka dalë në parlament dhe është bërë ligji. Dhe ky ligj detyron bashkëjetuesen njëlloj si bashkëshorten të deklarohen për të gjithë aktivitetin e tyre, për të ardhurat, etj. Mendoj se nuk mund të ketë qëndrim tjetër përveç zbatimit të ligjit për një gjykatëse. Që në momentin që ajo devijon ligjin, ajo duhet të largohet nga detyra që ka. Nuk ka diskutim. Nuk është vullnetare. Pra, ajo ka të drejtë të dojë atë që do, por duhet gjithashtu të respektojë ligjin. Zonja Kalaja ka konstatuar se ajo nuk ka deklaruar bashkëjetesën, ka fshehur bashkëjetesën. Atëherë kush mund t’i besojë një gjykatëseje si kjo? Kaq, nuk hy te vendimet unë. Unë hy tek një qëndrim ligjor.”
Përgjigjia i ka ardhur nga deputeti dhe themeluesi i “Djathtas 1912”. Në një reagim në rrjetet e tij sociale, Alibeaj tha se kallëzimi i bërë nga PD, është një hakmarrje e kryedemorkatit Berisha, madje ka zbuluar edhe arsyen. Sipas tij, Berisha e kishte kallëzuar pasi Alibeaj votoi “pro” për heqjen e imunitetit të Berishës në mbledhjen që u mbajt pak muaj më parë në Komisionin e Mandateve.
“Sali Berishës nuk i del inati për faktin që në Komisionin parlamentar të Mandateve votova për heqjen e imunitetit ndaj tij. Për inatin nuk e ndihmoj dot, madje as për hakmarrjen primitive që ai përdor rëndom me të gjithë ata që i dalin kundër. Hakmarrje që nuk kursen as familjen e atyre që mendojnë ndryshe nga ai. Kjo nuk është e re në sjelljen politike të Sali Berishës. Vetëm se hallet e tij dhe të familjes së tij me drejtësinë nuk mund të jenë hallet e çdo shqiptari. E si të tilla, nuk mund të jenë as hallet e mia dhe të familjes time. Kështu që e ftoj të mbledhë veten e të merret me hallet e veta. Thënë ndryshe, çdo shpifje nga goja e tij është po aq pa vlerë sa të gjithë ato që ka thënë këto 30 e kusur vjet për çdo kundërshtar politik. Do të votoja në çdo rast sërish për heqjen e imunitetit të tij dhe të gjithë atyre që kanë probleme me drejtësinë. Këtë e kam qendrim parimor të palëkundur, pa patur ndonjë inat me të apo ndokënd tjetër. Hallet që kanë familjarisht me SPAK nuk ja zgjidh dot. Komunizmin vërtet e kemi larguar më shumë se 3 dekada më parë, por mentalitetin komunist e kemi ende prezent në politikë. E për fat të keq, duke mbajtur peng demokratët dhe të djathtën në Shqipëri,”-shkruan Alibeaj.
Përveç kallëzimit të Kalasë, edhe kryedemokrati Sali Berisha ka ngritur akuza ndaj Xhaferllarit, duke kërkuar që ajo të mos e gjykonte çështjen e tij në Kushtetuese me pretendimin se kishte konflikt interesi. Në kërkesën e tij, Berisha përmendi faktin se ajo ishte bashkëjetuesja e Enkelejd Alibeajt. Por kërkesa e tij u rrëzua në nëntor nga Gjykata Kushtetuese.