Politike
Berisha: Po hetohem sepse jam luftëtar i korrupsionit
Ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur se nuk po hetohet për korrupsion, por si luftëtar i korrupsionit.
Komentet Berisha i bëri në fjalimin e tij të përditshëm nga dritarja e banesës, përpara mbështetësve që mblidhen poshtë pallatit të tij, ku komentoi vendimin e SPAK për të ndaluar pjesëmarrjen e tij në seancat plenare. Ai tha se duke qenë se SPAK është një vegël e Ramës, kryeministri i faktoi shqiptarëve se ka tmerr nga mandati i Berishës.
Me aktin e fundit, Edi Rama u provoi shqiptarëve se Sali Berisha nuk po hetohet për korrupsion, por po hetohet se luftoi dhe lufton korrupsionin.
Me aktin e fundit, me tmerrin që ka nga mandati i Sali Berishës, Edi Rama dëshmoi se Sali Berisha po luftohet politikisht sepse ai ka denoncuar të gjitha vjedhjet personale, familjare, qeveritare të Edi Ramës dhe larove të tij.
Me aktin e fundit, Edi Rama faktoi se Sali Berisha nuk po hetohet për korrupsion, por për antikorrupsionin e tij, sepse ai denoncoi para shqiptarëve dhe botës, tradhëtinë e tij kombëtare ndaj Kosovës.
Denoncoi projektet e tij të përbashkëta me Aleksandër Vuçiç.
Denoncoi Jugosllavinë e re, Ballkanin e Hapur.
Denoncoi çdo akt të tij, me të cilin përpiqej që hegjemonia serbe dhe influenca ruse të mbizotëronte në rajon dhe Shqipëri.
Miqtë e mi!
Edi Rama faktoi edhe njëherë se beteja e Sali Berishës nuk është me drejtësinë, përkundrazi kjo betejë dhëmb për dhëmb është me Edi Ramën dhe drejtësinë e korruptuar, është me narkoshtetin, lidhet e tij me krimin.
Ndaj dhe i them Edi Ramës, se mandati im nuk u var dot as nga etërit e tu, xhelatë të shqiptarëve.
Sepse kur ata bënin thirrje për tanke, ne zvarrisnim rrugëve të Tiranës, shtatoren e Enver Hoxhës, ndërsa ti ja mbathje në Zallherr nëpër bunkere për të shpëtuar lëkurën tënde.
Edi Rama je i pashpresë.
Sali Berisha dhe këta burra e gra, janë sot më të vendosur se kurrë të të japin përgjigjen që meriton.