Politike
Berisha premton hatanë më 20 shkurt: Do jetë ditë e provës së madhe në Tiranë
Sali Berisha mbajti pasditen e sotme fjalimin tradicional nga dritarja e apartamentit, pasi ndodhet në “arrest shtëpie” që prej fundit të muajit dhjetor nën akuzën për korrupsion pasiv lidhur me aferën e ish-kompleksit Partizani.
Gjatë fjalës së tij para mbështetësve tek “Rruga e Shpresës” Berisha iu drejtua kryetares së Gjykatës Kushtetuese se, më e paimagjinueshme se çdo gjë tjetër janë vendimet e saj të turpshme dhe kriminale. Berisha iu drejtua asaj duke i thënë se është e blerë nga regjimi i Edi Ramës.
Berisha foli edhe për protestën e thirrur nga opozita, e cila do të mbahet më 20 shkurt. Ish-kryeministri tha se ftesa e tij është për çdo qytetar shqiptar në 20 shkurt, në ditën e provës së madhe në Tiranë, në orën e fitores në Tiranë. Berisha tha se, askush përveç nesh nuk do mund të shpëtojë Shqipërinë dhe shqiptarët sot.
“20 shkurti ka një simbol të madh për një gjeneratë të tërë, domethënia është thjesht në fushën e erudicionit, por për gjeneratën para tyre, përmbysja e shtatorit të diktatorit më gjakatar, ishte në të vërtetë momenti magjik, momenti hyjnor kur opozita shqiptare u bë opozitë e vërtetë. Ndaj dhe u zgjodh 20 shkurti për ditën e protestës së madhe. Zvarritja e diktatorit pa diskutim ishte një hakmarrje e njerëzve të shtypur për kasaphanën e luftës së klasave, për gjëmën që i kishte bërë shqiptarëve.
Përmbysja e këtij regjimi është kushti i të gjitha kushteve për të ardhmen e shqiptarëve, për të ardhmen e dibranëve, për të ardhmen e qytetarëve shqiptarë dhe të mbarë kombit. Ndaj dhe ftesa ime për çdo qytetar shqiptar: më 20 shkurt, në ditën e provës së madhe në Tiranë, në orën e fitores në Tiranë. Thirrja ime për të gjithë shqiptarët kudo që janë, kudo që janë, në Europë, Amerikë dhe kudo, 20 shkurti ju fton në ditën e betejës së madhe, ditën e lirisë. O sot, o kurrë, të shpëtojmë Shqipërinë! Shqipërinë, liritë tona, të drejtat tona, do t’i mbrojmë vetë, do i meritojmë vetëm në rast se i mbrojmë. Askush nuk ka pse të luftojë për ne! Ndaj dhe ne me besim të palëkundur te e vërteta, me besim të palëkundur në të drejtat dhe liritë tona, në idealet tona më të larta dhe fisnike, duhet të ecim krenarë dhe të pamposhtur drejt përmbysjes së këtij regjimi. Të shndërrojmë Shqipërinë përsëri në vendin e pluralizmit dhe demokracisë, në vendin e të drejtave të qytetarëve”, tha Berisha.