Politike
Berisha: Rama dhe Soros dështuan! Këto 300 ditë kanë qenë ditët e betejës më intensive
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha edhe mbrëmjen e sotme ka mbajtur fjalën e tij para mbështetësve të mbledhur poshtë banesës së tij. Berisha gjatë fjalës së tij tha se sot kanë kaluar 300 ditë që kur SPAK mori vendimin për ti vendosur masën e arrestit në shtëpi. Ai shtoi se vendosja e tij në arrest shtëpie është dështimi i Edi Ramës dhe mafies së Xhorxh Sorosit pasi sipas tij kjo ditë është më i turpshmi në tërë historinë e lirisë së një vendi.
Berisha shtoi se ata dështuan pasi këto kanë qenë ditët e betejës më intensive, më të motivuar të të gjithë jetës së tij politike. Ai theksoi se këto 300 ditë ishin ditët që ata morëm bekimin e Zotit si misionarë të vërtetë të një kauze të drejtë, kauzës së dinjitetit dhe lirisë së qytetarëve shqiptarë, dhe dëshmuan se nuk ka forcë në botë që mund ti mposhtë të rinjve dhe të rejave, burrave dhe grave që mbrojnë një kauzë të drejtë.
“Miq! Vendosja e Sali Berishës në arrest shtëpie, pasi dështuan ti caktojnë kryetarit opozitës, dhe ta shndërrojnë opozitën në një stoli të narkodiktatorit Edi Rama, kishte si qëllim të vetëm ndyrjen e tij në banesën e harresës. Por dështimi i Edi Ramës dhe mafies së Xhorxh Sorosit, këto 300 ditë është më i turpshmi në tërë historinë e lirisë së një vendi.
Këto 300 ditë ishin ditët që ne morëm bekimin e Zotit si misionarë të vërtetë të një kauze të drejtë, kauzës së dinjitetit dhe lirisë së qytetarëve shqiptarë, dhe ne dëshmuam se nuk ka forcë në botë që mund të na mposhtë ne të rinjve dhe të rejave, burrave dhe grave që mbrojmë një kauzë të drejtë. Të dashur miq, këto 300 ditë ne së bashku nderuam luftën, betejën, misionin tonë. Zoti ju bekoftë!”, tha ai.
Berisha më tej shtoi se në këto 300 ditë denoncuam si kurrë më parë dhe bëmë autopsinë e narkodiktaturës dhe narkodiktatorit, Edi Ramës. Ai tha se PD i faktoi shqiptarëve se Edi Rama është hajduti më i madh i të gjitha kohërave dhe se regjimi i tij është pushtimi më i egër i këtij vendi. Ai shtoi se në këto 300 ditë kjo dritare u del çdo natë në ëndërr, Edi Ramës dhe Linda Bashës, si porta e ferrit.
“Këto 300 ditë ne së bashku denoncuam si kurrë më parë dhe bëmë autopsinë e narkodiktaturës dhe narkodiktatorit, Edi Ramës, organizatës së tij kriminale, qeveri, organizatës së tij kriminale Skap dhe drejtësi e re. Ne u faktuam shqiptarëve se Edi Rama është hajduti më i madh i të gjitha kohërave. Ne u faktuam shqiptarëve se Edi Rama dhe regjimi i tij janë pushtimi më i egër i këtij vendi që e zbrazi dhe boshatisi atë, duke zbatuar pikë për pikë, platformën e armiqve të egër të kombit shqiptar, Vaso Çubrilloviç, etj.
Këto 300 ditë na kjo platformë e fjalës së lirë dhe kjo dritare, ne mbrojtëm të pamposhtur interesin kombëtar të shqiptarëve, në Shqipëri, në Kosovë dhe kudo që janë. Këto 300 ditë miq të dashur, ju e shndërruat këtë rrugë në rrugën e tmerrit për narkoregjimin, i cili i lemerisur nga ju, dërgon çdo natë hafijet e tij që t’ju numërojë, të ju fotografojë, por ju jeni këtu në çdo kohë, në çdo stinë, të pamposhtur luftëtarë të paepur, pararendës të një fitoreje të mbarë kombit.
Këto 300 ditë kjo dritare, falë jush, u del çdo natë në ëndërr, Edi Ramës dhe Linda Bashës, si porta e ferrit. Këto 300 ditë ju krijuat këtu Rrugën e Shpresës, për mbarë shqiptarët. Krijuat këtu parlamentin, tribunën historike të fjalës së lirë, të të vërtetave të mbarë kombit,” tha Berisha.