LAJMI I FUNDIT
Berisha: Rama do ketë korrik ‘të nxehtë’ e tetor ‘përvëlues’, nuk e shpëton dot as Sorosi
Gjatë prezantimit të raportit me shkelje të zgjedhjeve të 14 majit Berisha tha se Rama nuk do i shpëtojë hetimeve për McGonigal dhe Deripaska. Paralajmëron kryeministrin Rama se do të ketë një korrik të nxehtë ndërsa tetori do të jetë përvëlues dhe as Sorosi nuk mund ta ndihmojë.
“Afera e tij e angazhimit të McGonigal në hetimin e opozitës shqiptare dhe shkatërrimin e saj në kohën kur ishte në pushtet dhe kundër çdo lloj tagri ligjor, del tani e pleksur me aferën ruse Deripaska. Po bëhen përpjekje të jashtëzakonshme nga George Soros, Alex Soros për ta shpëtuar nga kjo aferë. Alex Soros e shpall atë vëlla dhe yll të stabilitetit, vetëm e vetëm që të mund të lehtësojë pozicionin e tij përpara drejtësisë së SHBA, por edhe drejtësisë në Shqipëri në kohën e duhur. Në fakt, këto përpjekje do dështojnë. Edi Rama është në hetim të hapur kriminal për krimet e shëmtuara që ka kryer, por krimi më i madh i jetës së tij është shkatërrimi i procesit zgjedhor. Sot ai është më i rrezikshëm se kurrë. Sot ai përdor postin e kryeministrit për t’u fryrë konflikteve në rajon. Ai ishte i pari që vendosi sanksione ndaj Kosovës dhe këtë e bëri për lëkurën e tij, sepse korriku është përvëlues për të, por më shumë tetori. Procesi McGonigal, me gjithë përpjekjet e Alexandër Soros, do i dëshmojë botës se Edi Rama është aventurier pa asnjë parim, një njeri që për hir të pushtetit të tij është i aftë të bëjë gjithçka”
Sali Berisha prezanton raportin me gjetjet e zgjedhjeve të 14 majit, të cilat pretendon se janë vjedhur nga Edi Rama dhe Partia Socialiste. Berisha nuk ka pranuar humbjen e thellë në këto zgjedhje ku opozita mori vetëm 7 bashki kundrejt 53 bashkive nga PS por vijon me justifikime. “Kjo është farsa zgjedhore më e shëmtuar në 32 vite. Bazohet në qindra e mijëra fakte e dokumente të konstatuara në 4 anët e vendit”
Berisha thotë se gjetjet do të bëhen publike dhe në Amazonë.
“Gjetjet do të hidhen dhe në Amazonë që të mund të njihet mbarë komuniteti ndërkombëtar për këtë farsë zgjedhore që ka për aktor kryesor Edi Ramën, person të inkriminuar kokë e këmbë që ka tmerr dhe ferr largimin nga pushteti për shkak të aferave të tij korruptive.”