Politike
Berisha u përpoq të fshihej pas procedurave/ Vangjeli: Flluska gënjeshtare dhe hipokrite ku jeton politika përballë drejtësisë
Analisti Lorenc Vangjeli ka folur lidhur me vendimin e Këshillit të Mandateve ditën e djeshme (18 dhjetor) për heqjen e imunitetit të Sali Berishës për t’i hapur rrugë më pas arrestit nga SPAK për aferën e privatizimit të kompleksit Partizani. Në analizën e bërë në studion e “Kontrast”, Vangjeli tha se politika shqiptare jeton brenda një fllukse gënjeshtre dhe hipokrizie. Ai tha se Berisha u përpoq që njësoj si Basha në çështje të caktuara, të fshihej pas procedurave, këtë herë nga hetimet e SPAK duke i cilësuar ato si të montuara nga Rama. “Sot është një ditë e një gënjeshtre dhe e një hipokrizie të madhe ku të gjithë aktorët e përfshirë në të janë pjesë. I pari sipas rradhës është vetë Berisha, njeriu i cili bashkëjeton me vesin e të gënjyerit që në një përballje të tij me drejtësinë nuk bëri atë që duhet të bënte por zgjodhi të veshë fustanin e Lul Bashës dhe të fshihej pas procedurave. Gënjen për thelbin e çështjes duke e cilësuar si të montuar nga Edi Rama”- tha Vangjeli. Më tej, ai tha se pjesë e hipokrizisë janë edhe deputetët socialistë të cilët nuk arritën të bënin një lloj balance ndarje pushtetesh, mes atij parlamentar dhe gjyqësor. Ndërsa për Alibeajn, ai u shpreh se nuk e kupton se çfarë po ndodh por votoi vetëm për t’u hakmarrë ndaj Berishës. “Duke e ditur se Rama është me shpirt së paku avokati më i zellshëm i Berishës në këtë çështje. Brenda hipokrizisë kaq të madhe është grupi i soclialistëve në Këshillin e Mandateve që ngritën kartonin dhe thanë Berisha nuk ka imunitet. Nuk patën forcën dhe kurajon që të ndajnë raportin mes pushteteve, kontrollin dhe ekuilibrin mes tyre. Nuk arriti dot të sigurohej një ekuilibër mes këtyre pushteteve. Brenda kësaj flluske ishte edhe Enkelejd Alibeaj, pjesë e një grupimi të paaftë për të përballuar politikisht luftën brenda llojit, u bashkua me socialistët sepse në mend kishte jo vetëm revanshin ndaj ish-shefit por sepse nuk kupton se çfarë po ndodh. Brenda së njëjtës hipokrizi janë qindra mijëra votues socialistë, më pak votues demokratë dhe nga elektorati gri. Socialistët thonë erdhi dita për ta cuar në burg, por nuk është kjo mënyra. Demokratët thonë do dalim në shesh ta mbrojmë, edhe atë gënjehen”- u shpreh ai. Më tej analisti theksoi se Berisha është këshilluar gabim që prej fillimit kur u caktua masa shtrënguese ndaj tij dhe se do duhej të ishte paraqitur në SPAK ashtu siç i ishte kërkuar. Teksa foli për kërkesën e SPAK dhe masën që pritet të merret ndaj ish-kryeministrit, Vangjeli tha se nuk duhet të jetë “arrest me burg” apo “arrest shtëpie” por duhet që Prokuroria e Posaçme të hetojë çdo gjë rreth Berishës. “SPAK-u është në të drejtën e tij,. Berisha iu shmang kërkesës së prokurorëve dhe ata e kishin detyrim ta bënin këtë veprim. I këshilluar keq që në krye të herës, Berisha duke tentuar të përshtasë për trupin e tij fustanin demode të Lulzim Bashës e solli çështjen në këtë pikë. Po ashtu, Rama për momentin është jashtë kësaj flluske të gënjeshtrave dhe hipokrizisë. Sepse nëse është e vërtetë se është reformator i reformës në drejtësi, do duhet të rrëfehet si i tillë. Që do të thotë edhe për kundërshtarin më të egër të tij që quhet Sali Berisha, Kuvendi duhet të lërë çdo hapësirë të mundshme hetimin për gjithçka, por jo arrestin me burg apo në shtëpi”- shtoi analisti.