Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shtuar akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit qeveritar, duke i cilësuar skemat bujqësore si “mjet për blerje masive të votave” gjatë fushatës së zgjedhjeve të 11 majit 2025.

Në një konferencë për shtyp, Berisha theksoi se programi kombëtar i subvencioneve në bujqësi, me një fond prej 44 milionë euro, është përdorur në mënyrë kriminale gjatë periudhës zgjedhore. Sipas tij, akti normativ (VKM nr. 150, datë 6 mars 2025) është miratuar pikërisht për të ndikuar votuesit në zonat rurale.

“Afati i aplikimeve, nga 14 prilli deri më 30 maj, përkon plotësisht me fushatën dhe paszgjedhjet. Ishte: ‘O votat, o nuk i merr subvencionet’. Kjo është baza ligjore e këtij krimi të shëmtuar elektoral,” deklaroi Berisha.

Sipas tij, mbi 53 mijë aplikantë janë lënë në pritje dhe procesi është politizuar përmes “konfirmimit të patronazhistëve”.

“Lubi Balluku, Anila Denaj, Mirela Kumbaro,  të gjitha bashkë me Ramën janë në krye të krimit elektoral 200-milionësh. U përdorën fondet publike për vota, në shkelje të Kodit Zgjedhor, praktikës së mirë të Venecias dhe udhëzimeve të OSBE/ODIHR,” theksoi Berisha.

Ai paralajmëroi se këto fakte do të depozitohen në institucione ndërkombëtare dhe se “falsifikimi i vullnetit të qytetarëve nuk do të kalojë pa pasoja”.