Politike
“Berisha zgjodhi rrugën e gabuar”/ Basha: I kam thënë çfarë kam pasur…
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka zhvilluar ditën e sotme një konferencë me gazetarët, ku ka deklaruar se ish-kryeministri Berisha ka zgjedhur rrugën e tij, edhe pse sipas tij ka qenë rruga e gabuar.
Basha u shpreh se i ka thënë ish-kreut të Qeverisë ” çfarë ka pasur për t’i thënë”, ndërsa theksoi se gjykimi i tij u errësua pas “asaj që i ngarkuan” duke iu referuar non-gratës nga Shtetet e Bashkuara.
Ai vijoi duke thënë se mbështetësit e Berishës “nuk kanë lënë gjë pa i thënë” dhe se nuk janë kujdesur për imazhin e tij për 10 vite si Basha, por përkundrazi e kanë përqeshur.
A ndjeni përgjegjësi se ju dhe Berisha jeni personat që po dëmtoni më shumë PD-në?
Basha: E kam dëgjuar këtë tezë që qarkullon nga një i tretë pasi nuk njeh PD zyrtare heq shenjën e barazimit, Berisha ka zgjedhur rrugën e tij, për arsyet e tij. Për mua ka qenë zgjedhja e gabuar, ja kam thënë. I kam thënë çfarë kam pasur për t’i thënë. Fajin më të madh nuk ia vë atij. Gjykimi i tij është errësuar pas asaj që i ngarkuan.
Një burrë shteti nuk duhet të bjerë pre e kësaj. Fajin më të madh e kanë ata që bënë sikur shkuan te PD sikur u digjte braku për të. Nuk kanë lënë gjë pa i thënë, edhe kur ishte kryeministër. Nuk shkuan atje për Berishën apo demokratët, por për veten e tyre. Kanë shkuar sepse besonin se ai stan kishte bulmet më të mirë, për egoizëm. Këto vendime i paguajnë demokratët. Sa jam kujdesur 10 vite për të ruajtur imazhin e tij, kur këta e përqeshnin, por ishte një moment kur duhet të zgjidhja mes mirënjohjes, për të cilën kam qenë peng, dhe nevojës për të ecur përpara në shtëpinë e demokratëve”, u shpreh Basha.