Connect with us

Kosova

Berlini i ‘prerë’: Serbia s’do të përfitojë “zbritje” për Kosovën, shkak të litiumit

Franziska Brantner, sekretare shtetërore në Ministrinë e Ekonomisë së Gjermanisë, në një intervistë për gazetën gjermane “Tageszeitung”, ka deklaruar se Serbia nuk do të përfitojë “zbritje” për shkak të marrëveshjes për litiumin, posaçërisht kur bëhet fjalë për Kosovën.

Duke folur rreth partneritetit dhe marrëveshjes për minierat e litiumit të arritur midis Serbisë dhe Bashkimit Evropian (BE), nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dhe drojës se kjo do të “vulosë” heshtjen e BE-së ndaj veprimeve të Serbisë, ajo ka thënë se diçka e tillë s’do të ndodhë.

“Serbia është kandidate për anëtarësim në BE. Ky proces, në të cilin sundimi i ligjit dhe demokracia janë qendrore, nuk do të ndikohet nga ky projekt. Nuk ka asnjë zbritje për shkak të litiumit përsa i përket sundimit të ligjit, as nuk do të ketë zbritje kur bëhet fjalë për Kosovën apo Bosnje-Hercegovinën”, ka theksuar Brantner kur është pyetur në mos kjo do ta trimërojë Serbinë.

Kujtojmë se, më 19 korrik, në Beograd, u nënshkrua një memorandum mirëkuptimi ndërmjet Serbisë dhe BE-së për partneritet strategjik për lëndën e parë të litiumit dhe zinxhirët e prodhimit të baterive e automjeteve elektrike. E shumë analistë të huaj kanë vlerësuar se procesi i eksploatimit të litiumit do të ketë pasoja për fqinjët rajonalë, veçanërisht për Kosovën.

Advertisement