Rajon
BIA arreston avokatin/ Pranga për lotët e derdhur dhe lulet mbi varr

Çedomir Stojkoviç, avokati i politikanit opozitar serb, Nikola Sanduloviç, përmes një postimi në platformën sociale, X, ka njoftuar se është ndaluar për katër orë rresht nga anëtarët e Inteligjencës serbe, e njohur ndryshe si BIA, në pikë kalimi kufitar në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ndalimi i tij ka ardhur si rrjedhojë e vizitës së tij në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Avokati serb, i cili është një zë kritik ndaj politikave të Aleksandër Vuçiç, përpos homazheve në Memorialin “Adem Jashari”, vendosi edhe lule te varri i Blerina Jasharit duke kërkuar falje për krimet serbe, njëjtë siç bëri klienti i tij në shkurt të vitit të kaluar, veprim i cili e dërgoi atë në paraburgim.
“Pasi u ndalove për 4 orë nga anëtarët e BIA u lirova për të vazhduar më tej”, ka shkruar ai në platformën sociale, X.
Stojkoviç është liruar, pasi sipas tij autoritetet serbe e kanë të qartë se nëse një gjë e tillë nuk do të ndodhte presioni ndërkombëtar do të ishte i madh.
“Lirimi im nuk është pasojë e vullnetit të autoriteteve. Më liruan për shkak të ndërgjegjësimit të qeverisë se po të më arrestonin presioni nga ndërkombëtarët do të ishte shumë i madh”, ka shkruar avokati
Stojkoviç te varri i Blerina Jasharit bashkë me një buqetë me lule kishte lënë edhe një mesazh.
“Urrejtja vdes. Ti jeton përgjithmonë. Një mijë lot për një mijë vjet, dhe miliona shpresa dhe ëndrra. Të cilat fillojnë me fjalën Më Fal” – thuhet në mesazh.

