Connect with us

Kosova

Bien këmbanat, SHBA: Urgjent Asociacionin

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të nisë urgjentisht negociatat për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe se propozimi për të nuk duhet të jetë diçka që nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Në një takim me gazetarët në ndërtesën e Ambasadës amerikane në Prishtinë, ai po ashtu i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të shtyjë me dhjetë muaj zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.

Hovenier tha se e ka kërkuar një gjë të tillë direkt nga Qeveria. Por i pyetur nëse ajo u është përgjigjur kërkesave të tij, Hovenier tha: Ju e dini se si po u përgjigjet Qeveria kërkesave aktualisht. Por, unë jam diplomat, dhe kjo do të thotë se unë gjithmonë kërkoj rrugë në interes të paqes dhe sigurisë.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Më 2015, palët kanë nënshkruar Marrëveshjen mbi parimet për formimin e këtij asociacioni, por po atë vit,Gjykata Kushtetuese konstatoi se disa pika të kësaj marrëveshjeje nuk ishin në linjë me frymën kushtetuese dhe se ato duhet të harmonizohen.

BE-ja dhe SHBA-ja vazhdimisht bëjnë thirrje që Kosova të bëjë hapa drejt krijimit të këtij asociacioni. Por, Albin Kurti ka deklaruar disa herë se është kundër formimit të ndonjë asociacioni njëetnik. Serbia, në anën tjetër, insiston që asociacioni të formohet dhe të ketë kompetenca ekzekutive.

Advertisement