Pinknews
Bieta Sulo rrëfen vitin që i ndryshoi jetën/ Mes karrierës, dashurisë dhe një kapitulli të paharruar
Në një kohë kur nostalgjia është kthyer në trend dhe “2026 është 2016-ta e re” po përmendet gjithnjë e më shpesh, Bieta Sulo zgjedh ta rikthejë atë vit jo si modë, por si një rrëfim të thellë personal, të mbushur me kujtime, emocione dhe kthesa jetësore.
Për moderatoren dhe gazetaren, 2016-a nuk ishte “thjesht për sfidë apo nostalgji”, por një nga vitet më të bukura të jetës së saj. “Viti 2016 është një nga vitet më të bukur të jetës sime, më kuptimplotët”, shkruan ajo, duke theksuar se kjo periudhë e gjeti të realizuar si profesionalisht, ashtu edhe personalisht.
Në atë kohë, Sulo ishte në kulmin e angazhimit të saj profesional si kryeredaktore dhe opinioniste e “Top Show Magazine”. “Jo vetëm ndihesha e realizuar profesionalisht”, shprehet ajo, duke kujtuar edhe bashkëpunimin e ngushtë me kolegët dhe energjinë e një redaksie që sot përmendet me mall. “Një super redaksi e ‘Top Show’ & Top Show Magazine’ së bashku, me mbledhje informale që frymëzonin aq shumë”, shkruan Bieta, duke nënvizuar edhe praninë e njerëzve që lanë gjurmë në atë periudhë.
Por 2016-a ishte edhe viti i një ndryshimi të madh në jetën personale. “Në jetën personale, dashuria jonë u bekua me një shtatzëni, aq të mirëpritur prej nesh”, rrëfen ajo, duke e përshkruar këtë moment si një nga më të rëndësishmit dhe më emocionuesit e jetës së saj.
Mes punës intensive dhe jetës personale, ajo e kujton atë vit si një kohë plot lëvizje dhe energji: “Udhëtime, shoqëri, të dala e të pira, shumë punë dhe pak gjumë”, por pa ankesa. “Shumë energji dhe aspak ankime, më shumë arsyetim dhe më pak justifikime”, thekson Sulo, duke përshkruar një mentalitet që sot duket pothuajse nostalgjik.
Në një epokë ku e shkuara po rikthehet si frymëzim estetik dhe emocional, rrëfimi i Bieta Sulos shkon përtej trendit. Është një kujtesë se disa vite nuk mbeten vetëm në arkiva apo hashtagë, por jetojnë si themele të forta mbi të cilat ndërtohet gjithçka që vjen më pas. AP