Connect with us

Bota

Biftekë dhe aragostë/ Vakti i ushtrisë amerikane një paralajmërim për Iranin?

Kur e gjithë bota është sy e vesh te lëvizjet e Presidentit amerikan Donald Trump mbi përfshirjen ose jo të SHBA-ve në konfliktin Izrael-Iran, papritur vërshojnë në mediat sociale video të ushtarëve amerikanë që sinjalizojnë se mund të ketë një përfshirje.

Mediat sociale janë ‘përmbytur’ nga postime që janë bërë menjëherë virale për shkak të ndjeshmërisë mbi situatën, të cilat tregojnë se trupave amerikane po u shërbehet biftek dhe aragostë.

Kjo është një traditë e gjatë ushtarake që besohet se shërben si një sinjal i pastër se ushtarët do të dislokohen në fushëbetejë ose do të marrin pjesë në misione të rëndësishme.

Një sinjal ky, që po shkund qasjen publike të Trump: “Mund ta bëj, mund të mos e bëj”.

I ashtuquajturi deployment meal, vakti i shërbyer forcave amerikane ka ngjallur spekulime rreth përfshirjes së drejtpërdrejtë amerikane në konfliktin në rritje midis Izraelit dhe Iranit.

Po ashtu ka nxitur komente nga përdoruesit e mediave sociale se ata po hanë vaktin e tyre të fundit përpara se të dërgohen në një zonë lufte.

Ka ndërkohë edhe raportime se video të tilla  janë të ricikluara që nga shkurti, por vërtetësinë e tyre dhe se çfarë do të ndodhë me trupat amerikane dhe përfshirjen e tyre ose jo në konflikt, do ta tregojë koha.

Sakaq, vetëm orët e fundit është raportuar se tre bombardues të fshehtë B-2 të Shteteve të Bashkuara janë ngritur nga një bazë ajrore në Misuri dhe janë në rrugën e tyre për në Guam.

Bombarduesit B-2 të Forcave Ajrore Amerikane thuhet se janë ngritur nga Baza Ajrore Whiteman, me mbështetjen e tetë anijeve cisternë ajrore të furnizimit me karburant – me shumë gjasa duke u drejtuar për në bazën ajrore amerikane Diego Garcia.

Këta bombardues mund të mbajnë municionet e nevojshme për të shkatërruar uzinën bërthamore të Iranit në Fordo, e cila ndodhet thellë në male.

Ata janë të vetmit që mund të mbajnë GBU 57, superbombën 14-tonëshe të projektuar për të shkatërruar bunkerë në thellësi të mëdha.

Domethënë, një objektiv i ngjashëm me vendin bërthamor iranian të Fordow, i ndërtuar brenda një mali.

Pajisja u zhvillua në gjysmën e parë të viteve 2000 me qëllim përdorimin kundër vendeve armiqësore, nga Koreja e Veriut deri në Republikën Islamike. Dhe më pas u modifikua për të rritur fuqinë e saj shkatërruese me inovacione që nuk u zbuluan kurrë plotësisht për arsye sigurie.

GBU duhet të depërtojë në “guaskën” mbrojtëse dhe pastaj të shpërthejë në mënyrë që të amplifikojë efektet brenda objektivit.

Advertisement