Connect with us

Shkrime

Big Brother sfidon veten përmes shqisave të reja

Vitjon Nina, Klevis Hoxhaj

Formati i shumëndjekur Big Brother ngahera nuk i bënte mirë gjërat.

Prej vitesh, ai prodhon modele monotone, shpesh të dhunshme e joetike, duke e mbajtur vëmendjen e audiencës përmes zhurmës, konfliktit dhe zhveshjes së vlerave.

Pamësia ka mbizotëruar mbi përmbajtjen, ndërsa shikimi është kthyer në një akt konsumimi, jo kuptimi.

Por në mbrëmjen e dytë të edicionit të pestë VIP, ndodh diçka e pazakontë: për herë të parë, shqisa e të parit vihet në krizë.

Një banor i verbër, Stenaldo, futet në shtëpi dhe, pa e parë askënd, sheh më shumë se kushdo tjetër.

Këtu ndodh thyerja thelbësore. Verbëria, që deri në këtë moment ka ekzistuar për publikun vetëm si koncept abstrakt ose sentimental, përplaset me një realitet që nuk kërkon keqardhje, por barazi.

Stenaldo nuk hyn si metaforë, por si subjekt.

Dhe pikërisht këtu, formati ekspozon verbërinë e vërtetë: jo të tijën, por të publikut dhe të banorëve.

Në termat e Blaise Pascal, publiku ka kohë që sheh vetëm me sytë e trupit – një shikim i kufizuar, i mbingopur nga drita, nga ekspozimi i tepërt, nga afërsia e pamundur me trupin dhe jo me shpirtin.

Kjo është ajo “verbëri vullnetare” të cilës i kumbon mendimtari: një shmangie nga ballafaqimi me thelbin njerëzor, e maskuar si argëtim.

Shtëpia e Big Brother ka qenë për vite me radhë hapësira ku shikimi ekziston pa zemër.

Stenaldo e çan këtë dykuptimësi. Ai bën të dukshme atë që nuk shihej në shtëpi dhe, njëkohësisht, atë që publiku përpiqej më kot të shihte te vetja: karakterin.

Ai nuk sheh trupat, por përjeton emocionet. Nuk lexon gjeste për kamerën, por intonacion, heshtje, afekte. Ai është i vetmi që nuk mund t’i hidhet hi syve.

Në këtë pikë, perspektiva e Merleau-Ponty bëhet vendimtare.

Shikimi nuk është thjesht pamje, por marrëdhënie me botën.

Ai nuk është jashtë lojës sepse nuk sheh; është më brenda se të gjithë, sepse përjeton.

Stenaldo ashtu si Stendali, duket se ka një moto: “Shoh vetëm një rregull; të qenit i qartë”.

Ai nuk prodhon imazh, por prani. Nuk krijon karakter, por ndjeshmëri.

Në një shtëpi ku shmanget ballafaqimi i vërtetë dhe ndërtohen role për kamerën, ai është i vetmi trup që nuk performon, por ekziston.

Ironikisht, kërkesa e tij për barazi përkthehet nga banorët në përkujdesje të shtuar.

Kjo është forma më e butë e dhunës: kur virtyti ngatërrohet me paternalizmin dhe respekti me përuljen.

Stenaldo nuk kërkon ndjeshmëri, por drejtësi. Jo dhuratë, por mundësi. Jo tonalitet, por argument.

Kështu, problemi zhvendoset nga formati te shoqëria.

Nëse histeria kolektive do të bjerë në një nivel verbërie që vetë Stenaldo nuk e dëshiron, atëherë do të shihet sa gati është një shoqëri për ta përqafuar tjetrin jo sepse ka një pamundësi shqisore, por sepse sjell me vete virtytin e një pjese margjinale – që jo vetëm nuk shihet, por as dëgjohet.

Kjo është arsyeja pse Big Brother, në edicionin e pestë, ose rishpik veten përmes kësaj sfide, ose fundoset edhe më poshtë.

Rezultati do të jetë i dukshëm jo në spektakël, por në reagimin organik të publikut – i njëjti publik që për vite ka shpërblyer anti-vlerat më të dergjura të formatit.

Advertisement