Bota
Bill Clinton thotë se Netanyahu dëshiron të qëndrojë përgjithmonë kryeministër

Ish-presidenti amerikan Bill Clinton ka thënë se kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka dashur të luftojë Iranin për një kohë të gjatë, sepse në këtë mënyrë mund të qëndrojë në detyrë përgjithmonë.
Por Clinton ka thënë edhe se, nuk mendon se as Netanyahu dhe as Presidenti amerikan Donald Trump duan të shkaktojnë një katastrofë rajonale në shkallë të plotë.
Duke i kërkuar Trump-it të qetësojë situatën dhe t’i japë fund “vrasjes së vazhdueshme të civilëve”, Clinton ka thënë se Trump dhe Netanyahu bien dakord në një pikë: ata besojnë se palestinezët nuk duhet të kenë një shtet.
“Para së gjithash – ata nuk po flasin për negociata paqeje në Lindjen e Mesme sepse izraelitët nuk kanë ndërmend… nën kryeministrin Netanyahu, t’u japin palestinezëve një shtet. Dhe tani, ata janë shumë të ndarë dhe të shtypur për t’u organizuar për ta arritur këtë”.
“Netanyahu ka dashur prej kohësh të luftojë Iranin sepse në këtë mënyrë ai mund të qëndrojë në detyrë përgjithmonë. Dua të them, ai ka qenë atje pjesën më të madhe të 20 viteve të fundit”, ka vijuar ish-presidenti.
“Por mendoj se duhet të përpiqemi ta çaktivizojmë atë dhe shpresoj që Presidenti Trump do ta bëjë këtë”.
Sipas tij, duhen bindur aleatët në Lindjen e Mesme se SHBA-të do të qëndrojmë me ta dhe se do të përpiqen t’i mbrojnë.
“Por zgjedhja e luftërave të pashpallura në të cilat viktimat kryesore janë civilët, të cilët nuk janë të përfshirë politikisht, në një mënyrë ose në një tjetër, të cilët thjesht duan të jetojnë jetë të denja, nuk është një zgjidhje shumë e mirë”.
Trump e ka lënë të paqartë se çfarë do të bëjnë SHBA-të, ndërsa Izraeli dhe Irani vazhdojnë shkëmbimin e sulmeve.
Raportet pretendojnë se Trump kishte miratuar plane për të sulmuar Iranin, por nuk ka marrë një vendim përfundimtar nëse do ta bëjë apo jo.
“Mund ta bëj, mund të mos e bëj”, ka thënë Trump, kur u pyet për përfshirjen e SHBA-ve në Iran.
Clinton sakaq ka thënë se ai absolutisht mendon se SHBA-të duhet të përpiqen ta ndalojnë Iranin për të pasur një armë bërthamore.
“A mendoj se duhet të përpiqemi ta ndalojmë Iranin nga të paturit e një arme bërthamore? Po”, ka thënë Clinton.
“Por nuk kemi pse të kemi të gjitha këto vrasje të vazhdueshme të civilëve që nuk mund të mbrojnë veten dhe që duan vetëm një shans për të jetuar”.
Marrë nga “The Times of India”

