Bota
“Bill Gates i Britanisë” mes të zhdukurve pas fundosjes së jahtit në Siçili
Manjati i teknologjisë në Mbretërinë e Bashkuar, Mike Lynch (shumë i referohen atij si Bill Gates i Britanisë) është mes personave të zhdukur pasi jahti i tij luksoz u përmbys në brigjet e Siçilisë gjatë një stuhie të fortë.
Biznesmeni 59-vjeçar, themelues i Autonomy Corporation, është një nga gjashtë personat e zhdukur sipas Guardian, ndërsa gruaja e tij, Angela Bacares, u shpëtua.
Një zëdhënës i Zyrës së Jashtme Britanike tha: “Ne jemi në kontakt me autoritetet lokale pas incidentit në Siçili dhe jemi gati të ofrojmë mbështetje konsullore për shtetasit britanikë të prekur”.
Pesëmbëdhjetë persona janë shpëtuar nga jahti i cili u fundos në brigjet e Siçilisë, nga anijet patrulluese të rojes bregdetare italiane dhe ekipet e shpëtimit.
Mes të shpëtuarve është edhe një fëmijë një vjeç.
Një person i vdekur është nxjerrë nga rrënojat .
Kapiteni i një anijeje, i cili ishte afër kur varka me vela u fundos shpëtoi 15 persona dhe përshkroi për BBC rrethanat në të cilat anija u mbyt.
Kapiteni Carsten Borner tha se varka e tij u godit gjithashtu nga stuhi shumë të forta për shkak të motit të keq në orët e para të mëngjesit, por kishte arritur ta stabilizonte atë.
Ai theksoi se panë jahtin i cili ishte jashtë kontrollit.
“Arritëm ta mbanim anijen tonë në vend dhe pasi mbaroi stuhia, vumë re që jahti i cili ndodhej pas nesh ishte zhdukur .”
Ai tha se ekuipazhi i tij më pas gjeti disa nga të mbijetuarit në një gomone, duke përfshirë tre persona të cilët u plagosën rëndë dhe i mori në bord përpara se roja bregdetare t’i merrte.
Ai konfirmoi se “një foshnjë e vogël dhe gruaja e pronarit” ishin në mesin e të mbijetuarve.