Sport
Biseda me Macron në avion, Cana: Ishte i interesuar për Shqipërinë
Ish-kapiteni i kombëtares shqiptare, Lorik Cana tregon momentet nga takimi me presidentin francez, Emanuel Macron, i cili zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë gjatë së hënës dhe të martës, e para vizitë e një kreu shteti të Francës.
Në një intervistë televizive, Cana thekson se një vend i veçantë gjatë bisedës së tij me Macron si pjesë e delegacionit ishte edhe Kosova.
“Duke qenë vizita e parë zyrtare dhe historike e kreut të shtetit francez në vendin tonë ai është i shoqëruar me një delegacion qeveritar dhe një delegacion me njerëz që kanë ofruar dy vendet. Presidenti Macron kishte shprehur dëshirën që unë të isha pjesë e delegacionit. Isha pjesë e delegacionit ku presidenti sapo arriti në avionin presidencial.
Në një moment gjatë fluturimit më ftuan të kaloj te pjesa e rezervuar e Presidentit Macron ku pata mundësi të diskutoja me të përreth 30 minuta. Ishte një kërkesë e tij për të folur pak shqip. Këtë e bën në shumicën e vendeve ku ai shkon. Ai tha se gjuha shqipe nuk është më e lehta. Ai më pyeti edhe për historinë e Shqipërisë. Ishte i përkushtuar të shprehet shqip dhe ia ka dalë më së miri.
Unë besoj se atij që i ka bërë më shumë përshtypje është mikpritja. Është koha që shqiptarët të gjejnë vendin e tyre në kontinent. Është drejtpërdrejt i lidhur me Shqipërinë me disa figura që kanë lidhje me artin dhe kulturën. Donte të dinte edhe për situatën në Kosovë dhe u përpoqa t’i jap një këndvështrim për situatën atje nga këndvështrimi ynë. Një pjesë të fjalës time me të është që të japë pjesën më të mirë të shqiptarëve të Kosovës. Franca ka qenë një nga shtetet që ka qenë në themelin e lirisë së Kosovë”, tha Cana.