Politike
Biseda me Ramën? Koka i bën kërkesë SPAK: Hapni telefonin e Kryemadhit
Ish-ministri i mjedisit, Lefter Koka, ndaj të cilit këtë të premte SPAK kërkoi t’i shtohet edhe dënimi për “shpërdorim detyre”, është shprehur në sallën e gjyqit se nuk pranon të dënohet për korrupsion dhe se e quan veten të pafajshëm.
SPAK ka kërkuar në Apelin e Posaçëm ndryshimin e vendimit të shkallës së parë, që shpalli të pafajshëm për akuzën “shpërdorim detyre” ish deputetin socialist Alqi Bllako dhe ish ministrin e mjedisit Lefter Koka.
“Jam i pafajshëm. Ju po kërkoni të më dënonit si peshkun e madh, por nuk jam unë peshku i madh. E di i gjithë Durrësi se unë jam biznesmen dhe nuk kam pasur nevojë të paguaj biletat e udhëtimit Mirel Mertiri. Nuk mund të më dënoni për korrupsion. Avokatët e tij thanë se biletat e rezervuara janë tre vjet më vonë sesa lidhja e kontratës. Prokurorët, pse nuk merrni si referencë kontratat e tjera për landfill, si ato të Vlorës dhe Lezhës, që janë më të shtrenjta? Keni gabim; dëgjova prokurorin sot, ky është saktësisht kallëzimi i bërë nga Monika Kryemadhi. Megjithëse ka kaluar një vit, konkluzionet e prokurorëve janë të njëjta. E kuptoj që institucioni do të marrë kredibilitet dhe kjo gjykatë do të jetë nën presion, por besoj se do të jepni drejtësi dhe do të ngriheni në nivelin e duhur. Pse e ndatë dosjen, a për të më dënuar sa më shumë mua? Nuk duhet të ishte ndarë dosja por të hetoheshin bashkë. Ata që me kallëzuan janë sot në përballje me SPAK. Nëse hapni telefonin e Monikës, nuk do gjeni asnjë komunikim me mua në të”, është shprehur Koka.
Kujtojmë që ministri është dënuar në shkallën e parë antikorrupsion me 6.8 vite burg me gjykim të shkurtuar.
Edhe për inceneratorin e Fierit ende nuk ka zhvillime në Gjykatën e Apelit të Posaçëm, duke bërë që vendimi të mos marrë formë të prerë.