Kosova
Biserko do hapjen e urës, ‘zbulon’ skenarin e Serbisë, paralajmëron Kurtin

Biserko do hapjen e urës, ‘zbulon’ skenarin e Serbisë, paralajmëron Kurtin
Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka folur në lidhje me debatin mbi hapjen e urës së Ibriti në Mitrovicë.
“Hapja e urës në Mitrovicë është simbol i normalizimit të marrëdhënieve mes serbëve dhe shqiptarëve, si dhe komuniteteve të tjera. Tri ura tashmë janë në përdorim nga qytetarët e Mitrovicës Veriore dhe Jugore. Qytetarët e Mitrovicës së Veriut lirshëm vizitojnë Jugun, blejnë nëpër qendra tregtare dhe shkojnë nëpër kafene. Pra, cili është problemi me hapjen e urës në Mitrovicë, për të cilën është rënë dakord kohë më pare? E njëjta gjë ishte edhe me targat, dinarin… Por në fund Beogradi u dorëzua. Pse tani Beogradi po krijon probleme dhe pse komuniteti ndërkombëtar e mbështet qëndrimin për shtyrjen e hapjes së urës? – deklaroi Biserko
Po ashtu, ajo u shpreh se shteti serb po pengon integrimin e serbëve të Kosovës, të cilët tashmë e kanë kuptuar ndikimin negative të Listës Serbe.
“Beogradi ka hequr dorë nga Kosova, por vazhdon të pengojë sovranitetin e saj të brendshëm, pengon integrimin e serbëve, i detyron ata të largohen nga institucionet e Kosovës dhe i pengon të marrin pjesë në zgjedhje. Presioni nga Beogradi mbi serbët në Kosovën veriore vetëm sa rrit zhgënjimin e tyre dhe ndjenjën se ata janë të braktisur dhe të penguar. Shumë prej tyre tashmë e kanë kuptuar ndikimin katastrofik të Listës Serbe, por ende nuk i kanë marrë gjërat në duart e tyre” – theksoi Biserko, e cila ndër të tjera, tregoi skenarin e Serbisë, teksa dhe kërkoi kujdes nga Qeveria e Kosovës.
“Siç e kuptoj unë, qëllimi i Beogradit është të krijojë një atmosferë që do të stigmatizojë, si serbët ashtu edhe shqiptarët dhe do ta bëj të pamundur bashkëjetesën. Kjo tashmë është bërë në Kroaci. Dhe si përfundoi kjo? Me një eksod.Qeveria dhe shoqëria e Kosovës duhet të bëjnë përpjekje për të parandaluar çdo skenar të tillë” – potencoi Sonja Biserko

