Connect with us

Kosova

Biserko flet për plagët e mëdha që Serbia i ka shkaktuar Kosovës

Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, duke folur për dialogun dhe rrugën e pajtimit mes Kosovës e Serbisë, tha se që nga vitet e ’90, shoqëria kosovare ka ndryshuar pozitivisht dhe ndjehet e impresionuar nga të rinjtë.

Ajo foli gjithashtu për pozitën e minoritetit serb në Kosovë, ku sipas saj serbët në veri dhe në jug nuk janë në pozita të njëjta.

“Në veri serbët kontrollohen nga Beogradi dhe janë penguar të integrohen në institucionet e Kosovës, duke pasur të gjitha garancitë për të drejtat e tyre nga Kushtetuta e vendit” – deklaroi Biserko dhe tërhoqi vëmendjen se institucionet e Kosovës duhet të kenë kujdes në qasjen ndaj minoritetit serb, ngase dikur ishin në pozitë dominuese e “tani nuk janë dhe që per një kohë të gjatë kanë jetuar në një lloj vakumi”.

Ajo mes tjerash u shpreh se është përmendur edhe ndarja e Kosovës që është pritur një kohë të gjatë të ndodhte, por theksoi se ishte Kancelarja Merkel qe e ndaloi.

Dialogu sipas Biserkos nuk mund të thuhet se ka marrë një vijë zgjidhje dhe nuk mund të vlerësohet se është arritur ndonjë progres. Sipas saj, Beogradi ka hequr dorë nga Kosova me vet faktin që është penguar pjesëmarrja në zgjedhje nga serbët e Kosovës.

Ajo theksoi gjithashtu qe sheh se ka shanse për pajtim mes dy popujve, duke vënë theksin në aktivitetin e saj për këtë çështje, duke shtuar se ekzistojnë faktet dhe që duhen caktuar parametrat ku do të vendoseshin kornizat, përmes të cilave do të udhëhiqej ky proces.

Biserko gjithashtu vuri në pah plagët e mëdha të popullit të Kosovës nga shteti serb gjatë shekujve, ndersa serbët as nuk kanë kërkuar falje për të gjitha bëmat qe kane kryer.

Advertisement