Aktualitet
Blendi Gonxhe, thirrje të rinjve të punojnë në shtet: Kemi plot vende të lira, por s’pranojnë se kanë frikë për të firmosur
Fakulteti i Ekonomisë në Universitetin e Tiranës ka zhvilluar paraditen e sotme aktivitetin “Panairi i Punës”.
I pranishëm në këtë aktivitet ka qenë edhe ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe. Gjatë fjalës së tij, ministri Gonxhe ka thënë se duhet një reformë për pensionet.
“Ne do të bëjmë ç’është e mundur sivjet të hapim sytë dhe mendjen sa i takon një reforme të plotë për pensionet. Pensionet nuk mund të jenë në këtë gjendje.
Ne do të duhet të ndërhyjmë fort sepse pensionet janë një motivator i rëndësishëm për të gjithë ata që bëjnë një plan angazhimi, marrin një vendim për të punuar apo ajo.
Gjatë fjalës së tij, Gonxhe u shpreh se do të bëjë çfarë të jetë e mundur për rritjen e pagave pasi thotë se sjellin dhe një rritje të menjëhershme të konsumit.
Më tej, ministri Gonxhe ka bërë thirrje që të aplikohet për punë në shtet, teksa ka thënë se shumë janë zhgënjyer dhe kanë frikë për të firmosur.
“Ne kemi shumë vende pune. Unë ju ftoj të gjithëve të klikojnë në faqen e DAP-it, unë ju ftoj të gjithë të provojnë dhe njëherë tjetër të punojnë në shtet. Unë e kuptoj se shumë janë të zhgënjyer.
Kanë frikë për të firmosur, kanë frikë nga hetimet. Unë i kam bodrumet në depresion total se aty punonte ekonomia që kam gjetur, në bodrum. Në një shtet që vuante për ekonominë, ekonomia punonte në bodrum. Rrogat shumë të ulëta, po mundohemi t’i ngremë.
Shumë shpejt të kalojmë në kushte të tjera. Duhet dhe ndihma juaj që njerëzit të aplikojnë. Janë 126 vende që presim, procedurat e DAP-it janë të tilla, marrin pak kohë”, tha Gonxhe.