Connect with us

Politike

“Bllokimi i parave të trafiqeve”/ Berisha: Do të jetë ringjallja e ekonomisë shqiptare

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se bllokimi i parave të pista do të jetë ringjallja e vërtetë e ekonomisë shqiptare. Berisha u shpreh se ato kanë zhvlerësuar euron me 40%, ndërsa shtoi se paratë që ndërtojnë kullat janë ato që qarkullojnë të gjitha mes trafikantëve.

“Absolutisht jo, përkundrazi bllokimi i tyre do të jetë ringjallja e vërtetë e ekonomisë shqiptare. Ato para kanë zhvlerësuar euron me 40%. Ato para janë një nga faktorët, jo i vetëm, që në 6 semestra njëri pas tjetrit prodhimi në Shqipëri bie në mënyrë katastrofave. Nga 2023 në 2024, eksportet janë ulur me 32%. Ato mbajnë ndërtimin. Por cilin ndërtim? Ndërtimin e këtyre kullave, monument të korrupsionit dhe krimit, të cilat janë molla më e ndaluar për shqiptarët. Një nëpunës shqiptarë për të blerë një apartament në këto kulla duhet të punojë, 80, 100 vite. Ato janë para që qarkullojnë të gjitha mes trafikantëve.”, tha Berisha.

Lidhur me tërheqjen e investitorëve të huaj, Berisha u shpreh për tu realizuar kjo ka disa kushte të cilat përmendi se janë sundimi i ligjit, rivendosja e ligjit dhe garancive ligjore. Gjithashtu ai përmendi një kusht i dytë është klima më miqësore ndaj biznesit, ku shtoi se Shqipëria do të jetë vendi i taksave më të ulëta në Europë.

“Tërheqja e investitorëve të huaj ka disa kushte. Kushti i parë është sundimi i ligjit, rivendosja e ligjit dhe garancive ligjore. Pa ligj nuk ka investime, ka vetëm largim investimesh. Kushti i dytë është klima më miqësore ndaj biznesit. Shqipëria do jetë vendi i taksave më të ulëta në Europë. Në rast se kthehemi disa vite mbrapa, në një konventë të Forza Italia, Silvio Berluskoni ka mbajtur një fjalim në të cilin i është referuar programit të PD dhe Sali Berishës për biznesin. Ky program synon taksën e sheshtë 10 përqind. Ky program synon një ofertë transparente për investitorin, një garë të ndershme.

Unë u kujtoj këtu se rrugët e Shqipërisë nga Kukësi në Durrës, nga Tirana në Elbasan, nga Hani i Hotit në Kakavijë, të gjitha janë ndërtuar me kompanitë më të mëdha të ndërtimit në botë. E them këtë sepse kishte garë transparente. Hidrocentralet e mëdha, Fani, Kaskada e Devollit, Statkrafti është kompania më e madhe në botë e ndërtimit të hidrocentraleve. Ne u garantojmë investitorëve të huaj një garë të ndershme dhe një mjedis biznesi miqësor ndaj tyre. Shqipëria do jetë vend model për tërheqjen e investimeve të huaja.

Ne synojmë të bëjmë një kërcim kuantik në projektin Shqipëria Madhështore për prodhimin e energjisë. Pse e synojmë këtë? Ne kemi burime të pashtershme. Ne jemi me më shumë ditë me diell në rajon. Jemi vendi me burimet më të shumta në rajon. Jemi vendi me platformat e erës më të fuqishme në rajon. Tani është koha e tyre. Pse është koha e tyre? Kanë rënë kostot e prodhimit të paneleve diellore në mënyrë dramatike, të turbinave të erës. Pra, të gjitha këto i japin një mundësi të madhe Shqipërisë të bëhet një superfuqi energjetike në rajon. Mos harro tjetrën, Shqipëria do jetë epiqendër e shpërndarjes së gazit në rajon. Ka gazsjellësin më të madh në jugun e Europës që kalon në Shqipëri, do ndërtojë termocentrale të mëdha. Projekti Shqipëria Madhështore ka kusht të të gjitha kushteve krijimin e një klime miqësore për zbarkimin e kompanive të mëdha dhe serioze në Shqipëri.”,u shpreh ai. 

Advertisement