Aktualitet
Bllokohet anija me 22.500 tonë naftë kontrabandë në Durrës
Një anije që transportonte 22.500 ton naftë kontrabandë është bllokuar në portin e Durrësit. Anije kishte flamur liberian dhe transportonte lëndën djegëse që do të kontrabandohej në Shqipëri me dokumentacion të falsifikuar. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se kjo ngarkesë nafte është marrë nga vendet me embargo për naftën, konkretisht nga Rusia. Anija ishte nisur nga Azerbajxhani dhe pretendohet se më pas është ngarkuar me naftë në portin Kallamata, Greqi, nga një anije tjetër, në një sasi prej 22 500 tonë lëndë djegëse naftë. Në vijim të veprimeve, bazuar në dyshime të arsyeshme se kjo sasi nafte e kishte origjinën nga vendet me embargo dhe ishte e kontrabanduar, pasi nuk disponohej dokumentacion i rregullt, u bë sekuestrimi i saj dhe i dokumentacionit të lundrimit të kapitenit, si dhe bllokimi i ekuipazhit që përbëhej nga 22 shtetas, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale. Në operacion e koduar ‘Embargo’, morën pjesë Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, Policia Kufitare e Portit Durrës, Drejtoria e Antikontrabandës, autoritetet doganore të portit, roja bregdetare dhe Kapiteneria e Portit Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës. Strukturat policore që operojnë në Durrës, veçanërisht Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar në DVP Durres, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara muajt e fundit, me qëllim goditjen e kontrabandimit të naftës që vjen nga Libia e vende të tjera, kanë siguruar në vijimësi, përmes inteligjencës informative, informacione për një anije me flamur liberian që do të kontrabandonte një sasi shumë të madhe nafte. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon hetimet e thelluara, me qëllim dokumentimin sa më të plotë të kësaj veprimtarie të kunndërligjshme dhe për identifikimin e shtetasve të përfshirë në këtë veprimtari, si persona fizikë apo juridikë.