Connect with us

Kosova

BLLOKU ANTI LVV/ Çfarë thonë analistët për krijimin e Qeverisë së Kosovës

Edhe pse doli fituese në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe insiston në krijimin e qeverisë pa opozitën, sipas rezultateve del se LVV në Kosovë nuk mund ta realizojë këtë. Në anën tjetër sjellja e LVV dhe liderit të saj Albin Kurti bëri që partitë opozitare të refuzojnë bashkëpunimin me të. Kjo situatë e paqartë sipas analistëve do të sjellë vonesa në formimin e institucioneve të vendit.

“Gjithsesi do të ketë zvarritje. Do të nevojitet kohë dhe takime të shumta. Ne i njohim liderët e partive dhe si funksionojnë. Do të ketë shumë kalkulime, balancime, deri sa të arrihet një harmonizim që do t’i kënaqë të gjitha palët. Kjo do të marrë kohë por gjithsesi edhe për faktin se tani ekziston një bllok ‘anti LVV’, ku të gjitha partitë janë të larguara nga Lëvizja Vetëvendosje”, tha analisti Artan Muhaxhiri.

Por, ka edhe zëra që thonë se rrethanat do ta përcaktojnë rrjedhën e procesit.

“Është çështje që varet nga rrethanat. Mendoj se për të krijuar një shumicë të pakicës nuk është problem, por për të krijuar një shumicë sa më të fortë i duhen, cilido koalicion që mund të qeverisë, i duhen përforcime. Ato përforcime merren duke bërë koalicion me ndonjë parti, ani pse ata kanë deklaruar se nuk do të bëjnë koalicion me LVV-në dhe LVV-ja me ata. Mirëpo, mund të bëhet edhe duke marrë deputetë të partive të ndryshme për të përforcuar koalicionin e vet qeverisës, qoftë LVV-ja apo partitë opozitare, nëse pretendojnë ta bëjnë qeverinë e pakicës”, tha Mazllum Baraliu, profesor universitar.

Dikush tjetër nuk i përjashton koalicionet ndërmjet LVV dhe partive opozitare, pavarësisht deklarimit të tyre, nëse në pazar futet edhe posti i presidentit pas një viti.  Një opsion për të dy krahët politik është Eedhe ftesa për Listen Serbe që të bëhet pjesë e koalicioneve të mundshme, por që siç duket deri më tani as LVV e as blloku opozitar nuk janë të interesuar të bëjnë një gjë të tillë.

Advertisement