Politike
Bloomberg: Projekti i Kushner vijon, edhe pse Shqipëria po përballet me një seri skandalesh
Projekti i fondit Affinity Partners, në pronësi të Jared Kushner, për zhvillimin e një resorti luksoz në një ishull të izoluar në Adriatik po vijon në Shqipëri, edhe pse vendi po përballet me një seri skandalesh korrupsioni që rrezikojnë të dëmtojnë klimën politike dhe besueshmërinë e qeverisë, shkruan Bloomberg.
Sipas medias amerikane, ndërsa kompania e Kushner është tërhequr nga një projekt hoteli luksoz në Serbi për shkak të tensioneve politike dhe protestave antiqeveritare, investimi në Shqipëri mbetet në agjendë, pavarësisht polemikave lokale që e kanë shoqëruar.
Affinity Partners vendosi në fillim të javës të tërhiqet nga marrëveshja për ndërtimin e një kompleksi luksoz me markën “Trump” në Serbi.
Vendimi u njoftua vetëm disa orë pasi autoritetet serbe akuzuan katër zyrtarë të lartë qeveritarë për korrupsion në lidhje me këtë projekt, raporton The New York Times.
Sipas prokurorisë, një ministër kabineti, një ndihmës i tij dhe dy zyrtarë të përfshirë në miratimin e projektit janë akuzuar për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh.
Prokuroria bëri të ditur se hetimet po vijojnë edhe për persona të tjerë.
Projekti, me vlerë rreth gjysmë miliardë dollarë, ishte promovuar fuqishëm nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç, i cili e kishte paraqitur atë si një mundësi për të tërhequr investime dhe turistë në kryeqytetin serb.
Qeveria shqiptare ka krijuar në qershor një kompani shtetërore, me funksion përfaqësimin e shtetit shqiptar në ortakërinë me firmën e Kushner.
Asokohe, në Qendrën Kombëtare të Biznesit, u regjistrua një shoqëri aksionare “Albanian State Development & Real Estate”.
Objekti i kësaj shoqërie do të jetë pjesëmarrja si përfaqësues i shtetit, në partneritete apo investime strategjike lidhur me projektin e investimit “Resorti Turistik- Ishulli i Sazanit” apo çdo projekt tjetër të autorizuar nga Korporata e investimeve.
Në bazë të një ekstrakti, mësohet se shoqëria duhet të sigurojë menaxhimin, zhvillimin dhe administrimin e përgjegjshëm të pasurive të paluajtshme në pronësi, përdorim apo përgjegjësi administrimi të kompanisë, duke maksimizuar vlerën e tyre dhe duke garantuar përdorim optimal.