Hungaria dhe Sllovakia po i kërkojnë sërish Bashkimit Evropian të heqë masën për ngrirjen e aseteve dhe ndalimin e vizave për gjashtë biznesmenë rusë, si kusht për vazhdimin e regjimit të sanksioneve individuale kundër Kremlinit, në fuqi që nga nisja e pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Moska, më shumë se tre vjet më parë.

Sanksionet, që pas 18 rundesh masash kufizuese të BE-së tashmë përfshijnë mbi 2.600 individë e kompani, duhet të zgjaten çdo gjashtë muaj me unanimitet – zakonisht në mes të marsit dhe shtatorit.

Në listë gjenden emra si presidenti rus, Vladimir Putin, dhe ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, por edhe disa oligarkë e biznesmenë të akuzuar se kanë financuar luftën e Rusisë apo kanë përfituar nga ajo.

Siç ka ndodhur rregullisht në Bruksel, Hungaria – dhe së fundmi edhe Sllovakia – kanë përdorur veton e tyre për të hequr disa nga emrat e nivelit të lartë. Të dyja këto shtete të Evropës Qendrore gëzojnë marrëdhënie të ngushta politike me Kremlinin, dhe pretendojnë se sanksionet dëmtojnë ekonominë evropiane më shumë se ekonominë ruse.

Në mars, biznesmeni rus Viatcheslav Moshe Kantor; ministri i Sportit, Mikhail Degtyaryov; dhe Gulbahor Ismailova, motra e miliarderit Alisher Usmanov, u hoqën nga lista pas javësh negociatash të vështira diplomatike ndërmjet zyrtarëve evropianë.

Vitin e kaluar, në mënyrë të ngjashme, u hoqën bashkëthemeluesi i gjigantit rus të internetit, Yandex, Arkady Volozh; biznesmeni Sergei Mndoiants; shtetasi sllovak, Jozef Hambalek, udhëheqës i klubit motoçiklistik nacionalist rus Ujqit e Natës në Evropë; si dhe Violetta Prigozhina, nëna e biznesmenit të vdekur dhe udhëheqësit të mercenarëve Wagner, Yevgeny Prigozhin.

Sipas disa diplomatëve të BE-së që folën në kushte anonimiteti, këtë herë Sllovakia po kërkon heqjen e Usmanovit dhe biznesmenit Mikhail Fridman. Përveç këtyre dy emrave, Hungaria po kërkon edhe heqjen e oligarkëve Dmitry Mazepin, Pyotr Aven, Musa Bazhaev dhe Albert Avdolyan.

Shumica e këtyre emrave janë propozuar edhe më herët për heqje nga listat, përveç Avdolyanit, i cili u vendos nën sanksione nga BE-ja vetëm në shkurt të këtij viti.

Shtetet e tjera anëtare të BE-së kanë paraqitur një alternativë: të hiqen vetëm një ose dy raste të ashtuquajtura “të dobëta” – individë të cilët me gjasë do të hiqeshin gjithsesi, pasi sanksionet ndaj tyre bazohen në prova që nuk do të qëndronin nëse do të sfidoheshin në gjykatë. Përveç kësaj, ato propozojnë që sanksionet të zgjasin çdo 12 muaj, në vend të 6 muajve aktualë.

Por, si Bratislava, ashtu edhe Budapesti, e kanë refuzuar këtë propozim në diskutimet paraprake në Bruksel, dhe çështja tani do të kalojë në nivel ambasadorësh të BE-së, më 3 shtator.

Një marrëveshje atë ditë nuk pritet, por me afatin e 15 shtatorit që po afrohet për rinovimin e sanksioneve, pritet që javën e ardhshme të arrihet një kompromis./REL