Connect with us

Shkrime

Boomerangu i protestave anti-Veliaj

Nga Andi Bushati

Protestat e PD përpara bashkisë, që sot në ditën e 13 të tyre vetëm konfirmuan grumbullimin e gjithnjë e më pak militantëve, do të ishte mirë të mbylleshin sa më parë. Që prej tre muajsh ato nuk arritën kurrë të ngrihen në nivelin që do të kërkonte denoncimi i një skeme grabitëse të pa imagjinueshme, si ajo që kishin ndërtuar Erion Veliaj me drejtorët e tij. Të këmbëngulësh me një kokfortësi donkishoteske, ti vazhdosh ato edhe në temperatura raskapitëse mbi 40 gradë e për më tepër nën indiferencën e një opinioni të kapluar nga ethet zemërdridhëse për kombëtaren, do të thotë ti biesh murit më kot me kokë.

Arsyet se përse protesta nuk ngjiti janë disa. Së pari, sa më shumë që regjimi i Tiranës merr trajtat e një diktarure, aq më e vështirë do të jetë që qytetarët të ndihen të lirë për ta demostruar publikisht zemëratën e tyre. Ata kanë të afërm në punë, halle me këtë administratë që i gjurmon me patronazhistë dhe nuk duan të rrezikojnë gjithçka përballë një shteti që i diferencon ata politikisht.

Së dyti, PD duket se nuk e ka as organizmin dhe as mundësitë për të luajtur njëkohësisht në dy fronte edhe paradite poshtë dritares së Veliajt edhe në mbrëmje poshtë ballkonit të Saliut. Për tu bindur për këtë mjafton të shohësh ata që marrin mikrofonin që janë dëshpërimisht të njëjtët.

Së treti, ndonëse shumëkush e kupton se ajo që ka ndodhur justifikonte që ti vihej flaka asaj godine krimi (ndryshe nga ç’predikojnë ambasadorët), ka pasur nga ata njërëz që nuk donin ti’a falnin këtë bonus PD. Sot mund të jesh 100% kundër birbove të bashkisë, pa qenë detyrimisht ndjekës i opozitës. Këtë ngërç duket se e kishin kuptuar edhe vetë organizatorët të cilët tentuan të kamuflohen pas “Aleancës për mbrojtjen e teatrit”, por këtë dredhi nuk e hëngri askush.

Mund të këtë edhe arsye të tjera se përse ideja për të reaguar ndaj vjedhjes më të pafytyrë të këtyre 30 viteve rezultoi një dështim. Por ajo që ka rëndësi është se këtej e tutje, këmbëngulja për ta vazhduar këtë rrugë po kthehet në boomerang. Nëse nismëtarët e konceptuan atë edhe si një formë trysnie që SPAK të mos kishte mundësi ti shmangte faktet uluritëse, ky qëllim sot po prodhon efektin e kundërt. Prokurorët sepecialë të programuar më shumë për ti falur sesa për ti hetuar të pushtetshmit, mund të gjejnë një justifikim për mbylljen e syve tek reagimi i papërfillshëm qytetar.

Por, mbi të gjitha, protesta duhet ndërprerë se ajo krijon në publik perceptimin e gabuar. Ndërsa tashmë vetëm idiotët nuk janë bindur se në zyrat e Veliajt është bërë kërdia, duke parë atë grusht të mjerë njerëzish që indinjohen ndaj saj, krijohet përshtypja se kjo shoqëri është imunizuar ndaj hajdutërisë. Konkluzioni i gabuar që mund të nxirret pas këtyre 13 tubimeve është vdekja e nervit për të reaguar ndaj të keqes.

Roli i një opozite, sdao e dobët, e paaftë, apo e pamoralshme qoftë është të përpiqet që ta mbajë gjallë atë. Ajo mund ta bëjë me më shumë apo me më pak sukses këtë, sipas kohës dhe rrethanave, por ama asaj nuk i falet, në asnjë mënyrë, që të shndërrohet në pasqyrën ku reflektohet apatia e shoqërisë. Këtë nuk e ka lejen ta bëjë, pasi dëmton një rreth shumë më të madh njerëzish sesa militantët e saj. Pikërisht kjo është arsyeja se pse PD duhet ti mbyllë ato protesta që nuk tërhoqën vëmendjen e askujt.

Advertisement