Connect with us

Kosova

Borrell iu dorëzon vendeve të BE-së raportin për masat ndaj Kosovës

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ua ka dorëzuar të martën vendeve anëtare raportin që ka të bëjë me masat ndëshkuese që i janë vendosur Kosovës një vit më parë nga Unioni.

Lajmi është konfirmuar nga Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Në këtë raport është bërë vlerësimi nëse duhet hequr masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat ishin vendosur për shkak të veprimeve të qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti në Veri të vendit – të banuar me shumicë serbe – të cilat kishin shkaktuar tensione të mëdha në atë pjesë të territorit.

Ende nuk dihet nëse kryediplomati evropian përmes këtij raporti ka kërkuar apo jo heqjen e masave ndëshkuese.

Siç raporton “Radio Evropa e Lirë”, diskutimi i parë rreth këtij raporti do të mbahet të mërkurën në nivel të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së, por që në këtë takim nuk pritet të merret ndonjë vendim se si do të veprohet me sanksionet.

Nga Kosova, janë shprehur optimist se raporti i Borrell-it do të kërkojë heqjen e masave ndëshkuese.

Këtë e kishte bërë te ditur Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, gjatë raportimit në Komisionin për Integrime Evropiane javën e kaluar.

Bislimi kishte thënë se ka informacione se në raportin e Borrell-it “do të rekomandohet heqja e masave” ndëshkuese kundër Kosovës.

Por, kësaj deklarate i ishte kundërpërgjigjur Stano.

Në një konferencë për media të hënën, zëdhënësi i BE-së potencoi se Bislimi, nuk ka nevojë të spekulojë për “përmbajtjen dhe oraret” rreth raportit të Borrell-it për masat e BE-së ndaj Kosovës.

Advertisement