Lifestyle
Borziloku mbron kundër kancerit
Kjo erzë verore, me një shije dhe aromë tepër pikante dhe të veçantë, duket se ka vlera ashtu sikurse populli ka besuar gjithmonë.
Borziloku është i pasur në flavanoide, substanca bimore të cilat kanë potencial të lartë antioksidues dhe anti-inflamator, njofton Klan Kosova.
Në sajë të kësaj force, arrihet të shihet efekti mbrojtës ndaj dëmtimeve të kromozomeve nga rrezatimi dhe nga oksigjeni reaktiv.
Një studim rishikues, i publikuar në revistën “Nutrition and Cancer” në vitin 2013, hetoi efektet e mundshme të borzilokut në trajtimin e kancerit. Ai rezultoi se borziloku, në sajë të përmbajtjes në përbërës bio-aktiv si eugenoli, acidi rosmarinik dhe acidi karnosik, mund të luajë rol mbrojtës kundër kancerit të lëkurës, mëlçisë, gojës dhe mushkërive, sipas të dhënave në eksperimente laboratorike.
Efektet anti-plakje
Studimet vërtetojnë atë çka popujt kanë besuar dhe praktikuar në shekuj. Borziloku mbron qelizat e mëlçisë, zemrës dhe trurit nga dëmtimet që shkaktojnë radikalet e lira.
Efekte të tjera të dobishme
-Qetëson ënjtjet dhe ul inflamacionin, efekte të vërtetuara në studim klinik ku u krahasua efekti i borzilokut me një grup kontrolli, i cili ishte nën trajtim me medikamentet klasike.
– Posedon veti anti-bakteriale në sajë të vajrave volatile që përmban, një arsye më shumë përse të përdorni salcë borziloku në sallatat tuaja.
– Ofron një kokteil të shkëlqyer ushqyes për qelizat që ndërtojnë enët e gjakut, si vitamina A dhe Magnezi.
– Dhe së fundmi, ofron shije të pakrahasueshme për gatimet tuaja.