Connect with us

Kosova

Brnabiç në OKB me argumentat e Hamasit për rastin e Banjskës, thotë Gogiç

Politologu serb nga Kosova, Ognjen Gogiç, ka vlerësuar se si Kosova ashtu edhe Serbia kanë ashpërsuar qëndrimet e tyre kundër njëra tjetrës dhe dëshmia më e mirë për këtë ishte mbledhja e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të hënën, ku u diskutua raporti gjashtëmujor i Misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK-ut.

Ai ka theksuar në një intervistë për mediumin serb, N1, se kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, gjatë fjalimit të saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së “ka deklaruar disa gjëra që nuk mund të mbrohen”.

“Në kohën kur shpërtheu lufta në Izrael nuk duhet të përdoret argumenti që përdor Hamasi, që është se pozicioni i ndonjë grupi i ka shtyrë të përdorni dhunë”, ka pohuar Gogic, duke shtuar se Serbia në asnjë mënyrë nuk do të mund të shmang faktin se do të dalë e vërteta mbi rastin e sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit të dielën e 24 shtatorit.

“Janë tre mundësi – ose organet kompetente nuk kanë ditur, që do të thotë se janë të paaftë, ose autoritetet kanë lejuar që ai grup të armatoset, madje kanë marrë pjesë në armatosjen e tij. Ajo që ende nuk është e qartë për askënd, është se cili ka qenë motivi, cilat kanë qenë qëllimet që kanë dashur të arrijnë terroristët me këtë akt” – deklaroi politologu serb

Pyetja në këtë fazë e cila duhet të parashtrohet, sipas Gogiç, është se si do të zhvillohen zgjedhjet në Veri të Kosovës, meqë Lista Serbe po kërkon dorëheqjen e kryetarëve të komunave, kurse Kosova, që vetë qytetarët të iniciojnë dorëheqjen e kryetarëve. Sipas tij, Prishtina nuk ka arsye të bëjë lëshime dhe vlerësoi se situata rreth pushtetit lokal nuk do të zgjidhet shpejt.

 

 

Advertisement