Connect with us

Lifestyle

Brokoli i pjekur me djathë – Fantastike për shijen dhe shëndetin

Vlerat ushqimore të tij, e bëjnë brokolin një nga perimet e gjelbra më të shëndetshme në botë.

Bëhet fjalë për një perime miqësore me stomakun dhe shumë e pasur në vlera dhe shije.

Brokoli është fantastike në çdo mënyrë gatimi, supë, sallatë, pure etj.

NTV.AL  ju sugjeron më poshtë një recetë të mrekullueshme plot shije, e cila përgatitet krejt lehtë dhe shpejtë.

Brokoli Të Pjekura Me Djathë dhe Beshamelë

Përbërësit

  • 700 – 800 gr brokoli
  • Kripë
  • Piper
  • Vaj ulliri

Për salcën e beshamelës 

  • 3 lugë gjelle miell gruri
  • 2 lugë gjelle gjalpë të freskët
  • 2 deri 3 gota qumësht
  • 2 kokrra vezë
  • 3 lugë gjelle djathë kaçkavall i grirë
  • Kripë

Përgatitja

Shtojmë ujë dhe kripë në një tenxhere dhe e vendosim në zjarr që të ziejë.

Sapo uji të nisë të vlojë hedhim brokolit e ndara në degëza.

I lëmë të ziejnë për 10 minuta dhe më pas i heqim nga zjarri.

Kujdesemi t’i largojmë nga uji përmes një kullorëse dhe i shtrojmë në tavë. Sipër i spërkasim me vaj ulliri.

Përgatitja e Beshamelës

Në tigan skuqni gjalpin me miellin derisa të jetë zverdhur.

Shtoni qumështin dhe përziejeni fort dhe shpejt me një lugë druri derisa masa të jetë e njëtrajtshme.

Shtoni vezët e rrahura dhe vijoni ta përzieni.

Shtoni kripën sipas dëshirës si dhe djathin kaçkavall të grirë.

Masën e përgatitur të beshamelës e hedhim sipër brokolit dhe më pas i fusim në furrë të piqen derisa sipërfaqja të marrë ngjyrë të kuqërremtë.

Vlerat e Brokolit

Brokoli është i pasur edhe me fibër të tretshme që nxjerr kolesterolin e keq jashtë trupit.

Kjo perime shërben edhe si antioksidant duke qenë se ka nivele të larta e të përqendruara të vitaminës C dhe flavonoidëve që përmirësojnë funksionet e kësaj vitamine.

Brokoli është i pasur me mineralet alkalinë dhe si çdo perime tjetër e ndihmon organizmin të ulë nivelet e dëmshme të aciditetit dhe e pastron atë nga toksinat.

Procesi i detoksifikimit mbështetet nga substanca si glukorafanina, glukonasturtina dhe glukobrasicina, të cilat aktivizojnë, neutralizojnë dhe eliminojnë ndotësit e dëmshëm të organizmit.

Brokoli përmban nivele të larta të kalciumit dhe vitaminës K, të cilat janë të rëndësishme për shëndetin e kockave dhe parandalimin e osteporozës. Kjo perime e gjelbër bën mrekullira për zemrën.

Advertisement