Kosova
Brutale dhe absurde, kushti për Kosovën, Mujanoviç akuzon Francën dhe Italinë
Jasmin Mujanoviç, analist politik, konsulent dhe kolumnist i shumë mediave të huaja, në një artikull autorial të botuar në platformën amerikane “Just Security”, tha se “nuk ekziston asnjë argument logjik, ligjor apo politik” për ta bllokuar anëtarësimin e Kosovës në këtë KiE.
Duke komentuar mbi sinjalet e Francës dhe Italisë se do ta kushtëzojnë mbështetjen për Kosovën me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ai e konsideroi “absurde” që francezët dhe italianët ta bllokojnë Kosovën, ndërkohë që asnjëra s’ka vendosur sanksione kundër Millorad Dodikut, liderit secesionist të serbëve të Bosnje-Hercegovinës.
“Të detyrosh Kosovën të ndjekë një strukturë që ka dështuar qartë në Bosnje-Hercegovinë dhe që është goditur në mënyrë të përsëritur nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut – është absurde. Parisi dhe Roma i kërkojnë Kosovës të zbatojë diçka që as Serbia dhe as ata vetë nuk e kanë bërë ndonjëherë për pakicat e tyre të rëndësishme etnike”, argumentoi analisti boshnjak
Kosova u mbështet nga shumica dërrmuese e deputetëve në Asamblenë e Parlamentare të Këshillit të Evropës për të kaluar fazën e parafundit drejt anëtarësimit në panteonin e kombeve të barabarta demokratike evropiane, ndërsa vendimmarrja përfundimtare është në dorën e Komitetit të Ministrave që pritet të mblidhet në mes të majit në Strasburg të Francës.
Dora Bakoyannis, deputetja greke që hartoi raportin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, në një artikull autorial të botuar deklaroi se asnjë anëtari s’i është kërkuar që të përmbushë kaq shumë parakushte në mënyrë që të pranohet në këtë organizatë të rëndësishme evropiane sikurse Kosovës.