Connect with us

Shkrime

Bugajski : Kosova dhe Ukraina – Vuçiç e Putin po imitojnë Millosheviçin

“Strategjia e Presidentit Vladimir Putin në Ukrainë është imitim i strategjisë së përdorur nga Slobodan Millosheviç në ish-Jugosllavi” – Kështu ka deklaruar ekskluzivisht për ‘The Geopost’, analisti Janusz Bugajski, sipas të cilit, Rusia “vëllai më i madh” po përdor gjithnjë e më shumë metodat e “vëllait më të vogël” dhe rezultatet në mënyrë të ngjashme do të kulmojnë me ‘thyerjen’ e Federatës Ruse. Për Janusz Bugajskin, “ashtu si Beogradi në vitet 1990, Moska përdor katër komponentë kryesorë në sulmin e saj ndaj Ukrainës: justifikimet historike, dezinformatat, konfiskimet territoriale dhe etnocid ose gjenocid”.

“Nacionalistët serbë thonë se kombi i tyre solli qytetërimin në Ballkan në mënyrë të ngjashme me pretendimet nacionaliste ruse për perandorinë e tyre më të gjerë. Ata mburren se Kisha Ortodokse Serbe është më e vjetra në rajon, edhe pse Kisha Ortodokse Bullgare u krijua tre shekuj më herët dhe aneksimi i Serbisë nga Bullgaria në shekullin e 10 solli alfabetin cirilik dhe tekstet fetare sllave në Serbi. Në mënyrë të ngjashme, Moska është përpjekur të përvetësojë Kishën Ortodokse të Kyivanit prej shekujsh dhe pretendon se Kisha Ortodokse Ruse përfaqëson “Romën e Tretë”” – shkruan Bugajski

Kremlini prodhon narrativa të rreme për të diskredituar viktimat e tij dhe përsërit shumë nga akuzat e ngritura nga Beogradi kundër boshnjakëve, kroatëve dhe shqiptarëve. Ukrainasit përshkruhen si nazistë, terroristë dhe kriminelë, madje akuzat për marrje organesh tani trumbetohen, duke imituar pretendimet e rreme të Beogradit kundër UÇK dhe liderëve të shtetit të Kosovës. Një qëllim kryesor rus në Ukrainë është sekuestrimi dhe aneksimi territorial për të zgjeruar perandorinë ruse post-sovjetike. Deklarata se të gjithë serbët duhet të jetojnë në një shtet tani përsëritet edhe për rusët nga Moska. Projekti i “Serbisë së Madhe” përfundimisht dështoi, por si në Ukrainë ai u shoqërua me krime të shumta lufte, duke përfshirë vrasje masive, përdhunime, tortura, dëbime, kampet e përqendrimit, bombardime pa dallim të civilëve, çrrënjosjen kulturore dhe shkatërrimin e infrastrukturës. Të dy shtetet ruse dhe ato serbe kryejnë në thelb gjenocid ose etnocid siç përcaktohet nga Konventa e Kombeve të Bashkuara për Genocidin – për të shkatërruar qëllimisht, tërësisht ose pjesërisht, një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar.

Millosheviqi, ashtu si Putini, u akuzua edhe për krime lufte dhe u padit gjatë luftës së Serbisë kundër Kosovës. Ndër akuzat specifike nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë ishin krimet kundër njerëzimit në Bosnje-Hercegovinë, Kosovë dhe Kroaci. Kjo përfshinte gjenocid, dëbim, vrasje, persekutim mbi baza politike, racore dhe fetare, akte çnjerëzore, shfarosje, burgosje, torturë dhe shkatërrim të pronës.

Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) ka lëshuar një urdhër-arresti për Putinin mbi akuzat për krime lufte dhe fokusuar në mënyrë specifike në deportimin e paligjshëm të dhjetëra mijëra fëmijëve nga Ukraina në Rusi. Lista e krimeve padyshim do të rritet pasi masat ligjore do të analizojnë abuzimet e shumta të kryera nga ushtria ruse në Ukrainë, duke përfshirë vrasjen masive të civilëve, përdhunimet, torturat, dëbimet, shkatërrimin e infrastrukturës dhe pronës, çrrënjosjen e trashëgimisë kombëtare dhe kulturore dhe rusifikimin e dhunshëm.

Millosheviqi u arrestua dhe u deportua në Hagë dhe vdiq në një qeli burgu gjatë gjykimit të tij. Në këtë pikë, askush në Moskë nuk është i përgatitur për të kapur dhe dorëzuar Putinin. Por ndërsa Rusia dobësohet me humbje masive ushtarake dhe ekonomike, mundësitë për rrëmbimin e pushtetit do të rriten dhe liderët e rinj mund të vendosin ta bëjnë Putinin kokë turku. Edhe më e mundshme është vrasja e Putinit nga një prej bashkëpunëtorëve të tij aktual.

Advertisement