Shkrime
Bukë, presh dhe lakër/ Fushata teatrale e politikanëve në listat e hapura që kërkojnë votën për qenë sërish deputetë

Nuk ka rëndësi të kujt partie janë, tashmë gara e ethshme për të marrë vota i ka bërë politikanët shqiptarë të dalin nga kostumi i përhershëm dhe të sillen ndryshe nga sa i kemi parë këto 4 vjet. Ndërsa ata në listat e sigurta duken më të qetë, listat e hapura po prodhojnë lloj-lloj shfaqjesh teatrale që po çudisin dynjanë.
Strategjia që kanë zgjedhur në fakt nuk ka asgjë origjinale dhe në pjesën më të madhe është e stisur dhe pa shumë kuptim. Nëse për 4 vjet me radhë je shfaqur në Kuvend apo konferenca duke folur për korrupsionin, varfërinë apo të mirat e qeverisë, të veshësh atlete, të shesësh bukë apo të bësh pazar me rroba shtëpie nuk është se ndryshon dot perceptimin e njerëzve. 50 ditët e mbetura vërtet mund të jenë të mjaftueshme për një fushatë derë më derë, por çfarë vlere ka ajo kur në çdo derë më shumë se qytetarë gjen kameramanë dhe fotografë? Spotet televizive, fushata online sigurisht që kanë vlerën e tyre, por sa bindës mund të jesh kur befas një ditë kujtohesh se në politikë paska dhe fruta-perime, njerëz që shesin dhe halle që nuk raportohen vetëm nga salla e Kuvendit apo konferencat ndërkombëtare.

