Kronike
Burg përjetë dhe izolim total/ GJKKO rrëzon kërkesën e Fran Marashit për liri

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka rrëzuar kërkesën e Fran Marashit për kundërshtimin e vendosjes së tij në regjim të posaçëm në burgun e sigurisë së lartë.
Marashit kërkoi të dilte nga regjimi ‘41 biss’, aty ku mbahet i izoluar prej 13 dhjetorit të vitit 2024.
Ai u dënua nga GJKKO muajin e kaluar, me burgim të përjetshëm, si i përfshirë në masakrën e Urës Vajgurore, të 17 qershorit 1997, ku u vranë 4 policë dhe u plagosën 6 të tjerë.
Vendimi, i marrë më 30 prill 2025 nga gjyqtari Erjon Bani, vjen pas kërkesës së paraqitur nga Marashi më 16 prill, ku ai kundërshtonte Urdhrin nr. 620 të Ministrit të Drejtësisë, të datës 13 dhjetor 2024, që e vendoste atë nën kufizime të veçanta në ushtrimin e të drejtave në burg.
Sipas Gjykatës, kërkesa e Marashit është paraqitur jashtë afatit ligjor dhe për këtë arsye nuk është pranuar për shqyrtim.
Njoftimi i GJKKO:
1. Ankuesi Fran Pal Marashi me datë 16.04.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Kundërshtimin e Urdhërit Nr. 620, datë 13.12.2024 të Ministrit të Drejtësisë
“Për vendosjen në regjim të posaçëm të ushtrimit të të drejtave në burgun e sigurisë së lartë të të burgosurit Fran Marashi”, bazuar në ligjin nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, bazuar në nenin
471 të K.Pr.Penale si dhe në ligjin nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, me vendimin Nr. 235, datë 30.04.2025, vendosi:
1. Mospranimin e ankimit të paraqitur nga ankuesi Fran Marashi, me objekt: Kundërshtimin e Urdhërit Nr. 620, datë 13.12.2024, të Ministrit të Drejtësisë “Për vendosjen në regjim të posaçëm të ushtrimit të të drejtave në burgun e sigurisë së lartë, të të burgosurit Fran Marashi”, si të paraqitur në tejkalim të afatit ligjor.
2. Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen ankuesit.
3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.
Tiranë, më datë 30.04.2025

