Connect with us

Bota

Burg përjetë për shqiptarin që vrau arkitektin italian

Në orën 03:44 të 9 Qershorit 2021, një britmë tronditi qetësinë në fushat e Piossasco (Torino): “Ndihmë, hajdutët”.

Roberto Mottura dhe bashkëshortja Laura Mai ndodheshin në dhomën e gjumit, në katin e dytë të vilës së tyre. Djali Tommaso, 13 vjeç, flinte në dhomën ngjitur. Laura u ngrit dhe zbriti në katin e parë.

Në dhomën e ndenjes pa dy meshkujt të veshur me të zeza. Gruaja vrapoi lart duke bërtitur: “Kanë hyrë hajdutët”.

Bashkëshorti vrapoi drejt sallonit dhe u përball me ta. Gjithçka ndodhi në pak minuta. Një e shtënë u dëgjua. Mottura vdiq në orën 04:22, ndërsa autorët u larguan në errësirë.

Dy vjet më vonë, gjykata e Torinos, dha dënimin për dy personat në fjalë. Burg përjetë për Emirjon Margjinin, personi i cili hapi zjarr dhe 16 vjet burg për bashkëpunëtorin e tij, Mërgim Lazrin.

Prokuroria kishte kërkuar burg përjetë për të dy shqiptarët. Por për gjykatën Lazri nuk ishte brenda shtëpisë kur u qëllua me armë zjarri, ndaj akuza e ngritur ndaj tij u rikualifikua.

Po ashtu, gjykata urdhëroi një dëmshpërblim të menjëhershëm për familjen e viktimës, me vlerë prej 300 mijë eurosh.

“Nuk do ketë kurrë drejtësi, im bir nuk ka më një baba”, ishte komenti i dëshpëruar i bashkëshortes së Mottura-s, shkruan Corriere Della Sera.

Në procesin gjyqësor ndaj Margjinit dhe Larzit përfunduan edhe 4 shqiptarë të tjerë, për akuza të ndryshme, si favorizim, posedim droge e armësh, megjithatë në fund u liruan nga akuzat.

Advertisement