Kronike
Burri vrau nënën e dy fëmijëve/ Babai: E dhunonte vazhdimisht
Një 46-vjeçare, nënë e dy fëmijëve u vra ditën e djeshme nga burri, i cili është ende në kërkim. Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Zëmblak të Maliqit, ku Gjergji Mullalli vrau gruan Luiza Mullalli në rrethana ende të paqarta dhe e hodhi në një gropë të ujërave të zeza.
Babai i viktimës deklaroi se vajza e tij dhunohet vazhdimisht dhe për këtë arsye ishin në proces divorci dhe prej një viti e pajisur me urdhër mbrojtjeje. Sipas tij, ish-dhëndri kishte tentuar dhe herë tjetër ta mbyste, por edhe pse ishte shoqëruar në polici nuk ishte arrestuar.
Babai Avzi Ferati ka treguar detaje nga ngjarja e rëndë.
“Ishim në shtëpi, më mori djali se e kishte marrë në telefon për të biseduar dhe vajza nuk ia hapte telefonin. Djali më mori mua në telefon dhe më tha që hajde se nuk e hap telefonin dhe kushedi çfarë ka ndodhur. U ktheva në shtëpi se isha me bagëti. Erdhëm këtu pastaj me djalin, lajmëruam policinë. Kërkuam vërdallë derisa e gjetën ata të policisë. E kishte hedhur trupin nga veranda. Na ndaluan policët pastaj, nuk na lanë të hynim brenda.
Kishin konflikte. Vajza kishte një vit me urdhër mbrojtje, e dhunonte vajzën. Një ditë më mori në telefon çupa dhe më tha që ka hyrë në shtëpi. I thashë lajmëro policinë. E kishte lajmëruar policinë. Para nja tre ditëve. Nuk kishte gjetur njeri brenda, por kishin hyrë në dhomë. E kishte ndjekur dhe në punë një ditë. Divorcin e kishte kërkuar vajza, sepse ai e dhunonte gjithmonë. E dhunonte edhe këtu edhe kur ishin në Greqi. Kishte vajtur vajza te motra atje në Greqi dhe kur erdhën nga Greqia donte ta mbyste, por çupa i shpëtoi nga duart.
Policia e ka thirrur disa herë, por nuk e kishte marrë për ta futur brenda. Nuk e dimë me ca e ka vrarë, të shohim ca do thonë ata të ekspertizës”, tregoi babai i 46-vjeçares.