OPINION
Bushati: Arti i Rilindjes, estetizimi i grabitjes
Nga Andi Bushati
Teksa SPAK hapi, më në fund, një tjetër kuti pandore, atë të koncesionit të sterilizimit, të dhënë në fillim të mandatit të parë të rilindjes, vendosa, aty për aty, të rizhytem në arkiva, për të parë historinë e këtij mashtrimi fantastik. Në morinë e shumtë të lajmeve, më bënë përshtypje dy episode.
I pari ka ndodhur në nëntor 2013, vetëm dy muaj pas fillimit të punës së qeverisë Rama. Në atmosferën e përgjithshme të transformimit të Shqipërisë, kryeministri ka organizuar një takim gjysmë punë, gjysmë glamur, me 40 nga mjekët më të shquar shqiptarë, që ushtronin zanatin në perëndim. Të ardhurit janë mbledhur në sallën ceremoniale të Pallatit të Brigadave. Tubimi ka pasur një emër pompoz, një nga ato për të cilët ekspertët e komunikimit të pushtetit të ri janë magjistarë. Ai quhej: “Thuaji PO Shqipërisë”. Qëllimi ka qenë i shpallur, rikthimi i ajkës së bluzave të bardha në atdhe.
Por, është kurioze të shohësh fotot e kësaj ceremonie. Prej të gjithë atyre që ishin ftuar nga qeveria rezulton të jetë kthyer vetëm një. Ai quhet Ilir Rrapaj dhe sot gjendet në burg për mashtrim me koncesionin e sterilizimit. Vërtet Rrapaj ka studiuar për mjeksi, por si shumë shqiptarë të tjerë, ai ka emigruar në Itali. Atje e ka lënë pas krahëve betimin e Hipokratit dhe ka hapur me familjarët e vet një kompani ndërtimi, me një punëtor të vetëm, me kapital 3 milionë lireta (1500 euro). Por kur në Shqipëri ndryshoi pushteti, aspiranti për murator, artizan apo biznesmen, paraqitet në mbrëmjen e pallatit të Brigradave, natyrisht si mjek. Kolegët, që punojnë në klinika prestigjoze, nuk e njohin, por megjithatë ai ka vëmendjen përkëdhelëse të ministrit të shëndetësisë, Ilir Beqja dhe privilegjin e një poze me shefin e madh. Eshtë pikërisht kjo foto me Edi Ramën, që sot, pas arrestimit, po bëhet telef nga të gjitha mediat.
Ilir Rrapaj dhe kryeministri Edi Rama gjatë një takimi në pallatin e Brigadave në kuadrin e nismës “Thuaji Po Shqipërisë”
Kur e risheh atë natyrisht që të lind pyetja. Pse të gjithë të tjerët i thanë Shqipërisë “JO” dhe u kthye, tek pullë, ai që pak muaj më pas do të merrte një koncesion 100 milionë Euro? Pse i vetimi që u “peshkua” nga kjo mbrëmje luksoze qe një biznesmen që e pati braktisur zanatin? Çfarë instikti patën profesionistët që nuk u joshën dhe ç‘nuhatje e shtyu emigrantin e dhënë pas fitimit, të ndjente erën e parasë?
Gjithsesi nga ajo pritje pompoze dhe e shumë reklamuar e fundvitit 2013, ne trashëguam 100 milionë të fituara me një garë, që dyshohet se është e falcifikuar, një koncesion, që nga 10 milionë të parashikuara, është rritur me 30% më shumë për çdo vit, spitale publike që duhet të reduktojnë numrin e operacioneve, pasi nuk përballojnë dot kostot e koncesionarit dhe çdo investim shtetëror të bërë deri në 2013, të falur tek privati.
Me këto tani po merret prokuroria, ndonëse edhe mediat edhe shoqëria civile edhe partitë e opozitës që e ka denoncuar, janë të ndërgjegjshme për batërdinë e bërë me sterilizimin.
Episodi i dytë që më tërhoqi vëmendjen në arkiva dhe që lidhet me pikpyetjet e ngritura më lart është një bisedë e njeriut që pozoi katër vite më parë me Ilir Rapajn. Në 2017, në prag të fushatës elektorale, Edi Rama shkoi në emisionin e Ylli Rakipit, me një set veglash kirurgjikale në dorë. I bindur se do të pyetje për koncesionin problematik, ai nxorri nga poshtë tavolinës disa gërshërë dhe bisturi të kohës së babaqemos dhe i krahasoi ato me paisjet e futura në ambalazhe moderne, që furnizonte kompania e Rrapajt. Mesazhi i këtij shou: “kujtohuni ku ishit dhe shikoni ku po ju çoj unë”.
Ndonëse Edi Rama në këtë moment i dinte shumë mirë shqetësimet që kishte ngritur ish ministri i shkarkaur i financave, Shkëlqim Cani, për kostot e pabërballueshme të PPP që pati dhënë, ndonëse ai i kishte mbi tryezë raportet e Kontrollit të Shtetit për abuzim, ndonëse vartësit e kishin njoftuar se 10 milionët e parashikuara në vit, kishin kapërcyer shumë më lart, aq sa të bëheshin pengesë për zhvillimin e operacioneve, ai i frynte anës estetike të problemit.
Në vend që të shqetësohej për abuzimin, ai merrej me “streilizimin” e truve të publikut, duke e thjeshtëzuar aferën në krahasimin e ambalazheve mes dy palë llojeve të bisturive.
Po ta shohësh këtë episod në kontekstin e tanishëm, mesazhi është i njëjtë: “Mua më intersojnë paisjet moderne kirurgjie, pak rëndësi ka se kush ka ngrënë kumblla dhe dardha pas shpinës time”.
Pra vjedhja nuk është e rëndësishme, dukja dhe shfaqja, natyrisht që po.
Por kjo praktikë po bëhet kaq vulgare dhe e zakonshme sa gjithkush ka të drejtën të mendojë, se pas fasadës gjoja të shndritshme, fshihet grykësia e një projekti kriminal. Estetika për së jashtmi, sado imponuese qoftë, nuk e fsheh dot thelbin e grykësisë. Edi Rama nuk e ka më luksin të thotë, mua më intereson një rokaqiell i bukur dhe jo se të kujt janë paratë që e ndërtojnë atë. Ai nuk mund të fshihet pas shprehjes “do e pastroj vendin nga plehrat”, duke e lënë përgjegjësinë e milionave të vjedhura, tek ministrat që i kanë çuar në llogaritë e tyre paratë e buxhetit për inceneratorët. Ai nuk mund të tregojë më ambalazhet e reja të bisturive, ndërkohë që SPAK i ka mbushur qelitë me kokat e koncesionit të sterilizimit.
Kësaj strategjie i ka dalë boja dhe ajo mundet ta kamuflojë vjedhjen, pa aq sa arrin t’a fshehë kufomën e një masakre, telajoja e një pikture.
Të para në retrospektivë, dy episodet që gjeta në arkivë, tregojnë të njëjtën gjë, alibinë estetike për justifikimin e një krimi banal. Nëse një tubim pompoz, me mjekët më të shquar në perëndim, na la trashëgim Ilir Rrapajn; nëse me demonstrimin e bisturive të sterilizuara, që ekspozoheshin tek Ylli Rakipi, fshihej një grabitje e madhe, regjisori i këtyre shfaqjeve nuk mund të jetë naiv. Me sa duket dhjetë vite më parë, Edi Rama ka vënë një bast me veten. Ai nuk ka dashur ta ndalojë grabitjen, ai ka synuar të estetizojë vjedhjen. Dhe për një kohë të gjatë duhet pranuar se i’a ka dalë. Por tani kjo fabul ka skaduar: Tani shumica nuk pyesin më sa bukur e kanë bërë, por sa kanë përlarë?/lapsi.al/