Aktualitet
Byrek me gjizë dhe qepë të njoma
Është koha perfekte për një byrek me gjizë e qepë të njoma, fantastik dhe të mrekullueshëm në shije.
Tradita shqiptare e përgatitjes së byrekëve është unike në botë, aq sa kuzhina shqiptare identifikohet me recetën e tij.
Askush nuk i reziston dot byrekut shqiptar. Menjëherë sapo del nga furra ai mbledh gjithë shtëpinë rreth tij.
I shijshëm dhe i kombinuar me mbushje të ndryshme, me djathë e me qumësht, me hithra a lakra të egra, me qepë e domate apo preshë, të gjitha mënyrat e gatimit të tij janë të mrekullueshme.
Përgatitja e Byrekut me Gjizë dhe Qepë të Njoma
Përbërësit
- 500 gr gjizë
- 10-12 qepë të njoma (Përdoret vetëm pjesa e bishtave)
- 500 gr Miell
- 250 ml Ujë
- Vaj Ulliri
- Pak gjalpë fshati
- Sodë Buke
Përgatitja e brumit dhe mbushjes me gjizë
Si fillim, përgatisim brumin, duke hedhur në një tas të madh miellin.
Pasi bëjmë një gropë në mesin e miellit hedhim kripën, sodën dhe i përzjejmë me dorë ndërsa nisim të shtojmë ujë të vakët derisa brumi të krijohet në një masë të butë dhe të përshtatshme për t’u hapur në formën e petës.
Brumin e përftuar e mbulojmë me një pecetë të pastër dhe e lëmë përreth gjysmë ore që të fryhet ndërsa nisim përgatitjen e harxheve.
Për përgatitjen e mbushjes, bishtat e qepëve i grijmë përmes një thike të mprehtë dhe i kaurdisim pak në vaj ulliri.
Sapo volumi i tyre të bjerë , hidhet pak kripë, shtohet gjiza, kaurdisen të gjitha bashkë dhe largohet nga zjarri.
Përgatitja e Byrekut
Pasi e përgatisim mbushjen me gjizë, e lëmë të ftohet. Gjatë kësaj kohe brumi është gati për t’u punuar. Brumin e ndajmë në 10 kuleçë të vegjël dhe nisim hapjen e petave.
Në tepsinë e lyer me vaj ulliri, shtrojmë tre petat e para duke u hedhur secilës nga disa pika vaj ulliri.
Më pas shtrojmë pjesën e parë të mbushjes me gjizë.
Vijojmë me shtrimin e dy petave të tjera dhe më pas hedhim sërish një pjesë të mbushjes me gjizë.
Pas kësaj, sërish shtrojmë dy peta të tjera duke i spërkatur gjithmonë me disa pika vaj ulliri.
Hedhim dhe pjesën tjetër të mbushjes dhe vijojmë shtrimin e dy petave të tjera.
Hedhim edhe pjesën tjetër të mbushjes me gjizë dhe më pas shtrojmë tre petat e fundit duke u sërish disa pika vaj ulliri.
Byrekun e pjekim në furrë në 180 gradë për 20-30 minuta deri sa të marrë pjekjen e duhur.
Në fund të përgatitjes, pasi byreku është pjekur e nxjerrim nga furra dhe e lyejmë me një lugë gjalpë fshati.