Connect with us

Kosova

Bytyçi tregon prapaskenat e dinarit në takimin e Brukselit

Kosova dhe Serbia kanë përfunduar edhe një rund tjetër bisedimesh, pa arritur përparim për çështjen e dinarit serb. Lidhur me këtë profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, beson se do të gjendet një zgjidhje, edhe pse palët për momentin qëndrojnë shumë larg njëra tjetrës.

Ai u shpreh i bindur se Serbia kërkon që nëpërmjet dinarit të shpalosë një lloj sovraniteti në Kosovë por sipas tij, kjo nuk do të kalojë, nuk do të pranohet as edhe nga faktori ndërkombëtar.

“Takimi i djeshëm përfundoi pa sukses, të dy palët ishin larg njëra tjetrës në propozimet që paraqitën. Mendoj dhe besoj se do të gjende një zgjidhje, edhe pse qëndrimet janë ende larg njëra tjetrës. Serbia kërkon që të vazhdojë përdorimi i dinarit, jo se me këtë masë ajo mund të pretendojë të rregullojë jetën e serbëve në Kosovë, por pretendon të dëshmojë që Kosova nuk është ende një shtet i pavarur’ – u shpreh Bytyçi

Sipas tij, emisari i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, ka bërë dhe vazhdon të bëjë presione sidomos mbi Kosovën, me qëllim që kjo e fundit të lëshojë rrugë.

Besoj se Kosova nuk do pajtohet me asnjë opsion që cenon ligjin dhe rendin kushtetues. Disa hapa të ndërmjetëm mund të pranohen me qëllim për të mos pasur pasoja në jetën e qytetarëve. Jam i bindur se Qeveria e Kosovës nuk do të tërhiqet dhe kjo mos tërheqje do të thotë një hap mëtej për të shtrirë sovranitetin e Kosovës në të gjithë territorin veçanërisht në katër komunat në veri dhe ky është një lajm shumë i mirë” – theksoi profesori i marrdhenieve nderkombetare, Enver Bytyçi.

Advertisement