Connect with us

Politike

“Çdo zonë e paprekur, duhet shkelur”, mesazhi Salianjit: Me votë t’i biem në kokë të keqes!

Ish-deputeti i PD-së, Ervin Salianji, përmes një postimi në rrjetet sociale, u ka bërë thirrje demokratëve dhe kandidatëve të shkelin çdo zonë për të kërkuar votën për ndryshimin e madh.

Mesazhi i tij nga vendi ku po vuan dënimin është i qartë: Vetëm me votë mund t’i biem të keqes!

Me votë t’i biem në kokë të keqes! Punë, punë, punë, takime, takime, takime.

Kur po mbërrijmë në etapën e fundit, në 10 ditëshin para ditës së votimit, shumë rrethana që më parë ishin kundër, janë sot pro Opozitës. Më së pari, jo vetëm nuk kemi më një PD të izoluar, por me kontaktet më të forta të mundshme në SHBA dhe me pjesmarrje në tryezat më të rëndësishme të PPE.

 

 

Kjo e ka dhënë që tani efektin, sepse Edi Rama e di mirë se vota e blerë, e kapur, e shantazhuar nuk do të kalojë më në sytë e ndërkombëtarëve, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Programi i PD është pritur mirë dhe ka mbërritur tek njerëzit.

Po mbi të gjitha, pakënaqësia e qytetarëve, mllefi deri në revoltë, ka mbërritur rrezun, dhe kjo është rrethana më e favorshme për një Opozitë.

E vetmja gjë që mund të dëmtonte këtë trend të sotëm drejt 11 Majit, është vetë PD, nëse lejon neglizhencë, nëse ul ritmin, nëse merr të mirëqënë se rrotacioni do të ndodhë. Në të kundërt, orët e secilës ditë duhen shfrytëzuar maksimalisht për më shumë takime, më shumë kontakte, më shumë komunikim.

Fundi i fushatës ka tendencën të sjellë një lloj lodhje, që do të ishte e pafalshme. Çdo gram energji deri në sakrificë duhen vënë në lëvizje këto ditë.

Çdo zonë e paprekur, duhet shkelur. Secili që mund të konsiderohet si i pavendosur, ose jo me ne, duhet ftuar sërish. Ai mendimi se nuk po shkoj aty se kam qënë një herë, duhet të bjerë.

Çdo demokrat po më së pari drejtuesit, lypset të jenë një valë më lart se padurimi i njerëzve. Sakrifica 12 vjeçare e demokratëve duhet përligjur me punë pa ndalim.

Neglizhenca më e vogël apo vetëkënaqësia do të ishin më së pari një mosvlerësim për kalvarin e anëtarëve, qendrestarëve, të atyre që u përballën 12 vite me një regjim, pa punë, pa marrë diçka në kembim, pa e shitur shpirtin, shpresën e besimin e tyre.

Këtë 10 ditësh, rrugët, lagjet e vendit duhet të ziejnë nga demokratët, nga drejtuesit. Në këtë mënyrë, rezultati s’do të mungojë. Haka do shkojë te i zoti.

Advertisement