Aktualitet
Çfarë po ndodh? Riatdhesohen të gjithë emigrantët e paligjshëm të ardhur nga Italia
Vetëm 1 nga 43 kërkesat e emigrantëve të paligjshëm të sjellë në Shqipëri janë refuzuar nga Italia. Kështu bën me dije media italiane “Ansa“. Por megjithatë, emigrantët e paligjshëm kanë 7 ditë kohë për të apeluar kundër refuzimit të kërkesës së tyre. Të gjithë emigrantët, kërkues të mbrojtjes ndërkombëtare janë dëgjuar mbrëmjen e mërkurës nga komisioni i azilit. Por pritet që ditën e premte të jepet vendimi mbi konvalidimin e qëndrimit të tyre.
“Siç e prisnim rezultatet e kërkesave për azil ishin të gjitha negative, sepse ato u konsideruan “qartësisht të pabaza”. Vetëm një person nuk e mori refuzimin dhe ai do të dëgjohet në procedurë të zakonshme, pasi kishte “cenueshmëri mjekësore”,”-bënë me dije mediat e huaja.
Ky është kontigjenti i tretë i emigrantëve të paligjshëm që mbërrijnë në Shqipëri. Më 16 tetor dhe 8 nëntor 2024, anija luftanike “Libara” solli në Shqipëri dy kontigjente me 24 emigrantë, kryesisht nga Egjipti dhe Bangladeshi, të cilët, pas vendimit të gjykatës italiane, u rikthyen në vendet e origjinës, pasi këto dy shtete u cilësuan si vende të sigurta.
Deri më tani qendrat pritëse kanë qenë bosh, pasi në nëntor emigrantët, dhe pjesa më e madhe e policëve italianë, punonjësve socialë dhe organi drejtues i qendrave në Shqipëri për riatdhesimin e emigrantëve u larguan nga Gjadri. Vendimi erdhi pas bllokimit të njëpasnjëshëm të Gjykatës së Romës për mbajtjen e emigrantëve në qendrën e Gjadrit.
Marrëveshja me Italinë për emigrantët u nënshkrua në muajin nëntor të vitit të kaluar dhe më pas u ratifikua nga të dyja parlamentet ndërsa në vendin tokë u kërkua edhe një aprovim i gjykatës kushtetuese. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë në muaj dhe në përfundim të procedurave të vlerësimit autoritetet italiane do të largojnë me shpenzimet e tyre refugjatët nga territori shqiptar.