Pinknews
CIA zbardh detaje të frikshme/ Autorët planifikonin të vrisnin 30 mijë njerëz në koncert
Të dyshuarit për sulmin terrorist të parandaluar në një koncert të këngëtares amerikane Taylor Swift në Vjenë në fillim të këtij muaji synonin të vrisnin “dhjetëra mijëra” njerëz përpara se CIA të merrte informacione që pengonin sulmin dhe të arrestonin të dyshuarit.
CIA bashkëpunoi me autoritetet austriake dhe i informoi ata për skemën e supozuar të sulmeve, në të cilat dyshohet se ishte përfshirë grupi terrorist Shteti Islamik (IS), sipas AP.
“Ata po planifikonin të vrisnin një numër të madh njerëzish, dhjetëra mijëra njerëz në këtë koncert, duke përfshirë, jam i sigurt, shumë amerikanë, dhe ata kishin një plan mjaft të përpunuar. Austriakët ishin në gjendje të bënin arrestimet sepse agjencia dhe partnerët tanë u dhanë atyre informacione se çfarë po planifikonte të bënte ky grup i lidhur me IS”, tha David Cohen, zëvendësdrejtor i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA).
Zyrtarët austriakë thanë se i dyshuari kryesor, një 19-vjeçar austriak, ishte frymëzuar nga grupi i Shtetit Islamik dhe dyshohet se kishte planifikuar të kryente sulmin me thika ose eksplozivë të bërë vetë jashtë stadiumit, ku pritej të mblidheshin më shumë se 30,000 njerëz, ndërsa vlerësohet se brenda stadiumit do të kishte rreth 65 mijë vetë.
Një avokat i të dyshuarit 19-vjeçar tha se akuzat ishin “të ekzagjeruara në rastin më të mirë” dhe argumentoi se autoritetet austriake po e ekzagjeronin çështjen për të fituar kompetenca të reja mbikëqyrjeje.
Ministri i Brendshëm austriak Gerhard Karner tha më parë se ndihma nga agjenci të tjera të inteligjencës ishte e nevojshme sepse hetuesit austriakë, ndryshe nga disa agjenci të huaja, nuk mund të monitoronin ligjërisht mesazhet me tekst.
“Anulimi i shfaqjes sonë në Vjenë ishte shkatërrues. Arsyeja e anulimit më mbushi me një ndjenjë frike dhe faji, sepse shumë njerëz donin të vinin në atë koncert”, tha Taylor Swift dhe falënderoi autoritetet për ndërhyrjen e tyre.