Bota
Çmimi i vezëve kap majat në Amerikë, Shtëpia e Bardhë: Joe biden vrau 8 milionë pula para se të ikte

Në SHBA gjëra të çuditshme po ndodhin dhe rritja astronomike e çmimit të vezëve, nuk është as më e çuditshmja prej tyre. Situata tejet kaotike me rritjen e çmimit të vezëve dhe mungesën e theksuar të ushqimit bazë në tryezat e amerikanëve ka shkaktuar një debat shumë të gjerë. Ndihmë u është kërkuar edhe vendeve fqinje dhe atyre evropiane, por lufta tregtare që Trump ka nisur i ka lënë SHBA-të me pikëpyetje të mëdha. E në gjithë këtë, Shtëpia e Bardhë përmes Sekretares për Shtyp, Karoline Leavitt, lëshon çmendurinë më të madhe në publik rreth rastit.
“Administrata Biden vrau afro 8 MILIONË pula përpara inaugurimit të Presidentit Trump, duke çuar në mungesë furnizimi dhe çmime më të larta”.
Nuk është shaka por e vërtetë. Leavitt e publikon këtë deklaratë në faqen zyrtare të Sekretares për Shtyp të Shtëpisë së Bardhë në X.
“Kriza e vezëve është kriza e Biden”, shton ajo. Teksa elozhet nuk mungojnë se Trump si president, do ta zgjidhi situatën.
Leavitt ka publikuar atashuar me postimin e saj edhe një grafik për vrasjen e shpendëve në SHBA. Sipas grafikut, ditët përpara inaugurimit të Trump, janë vrarë rreth 8 milionë shpendë.
Por grafiku nuk merr parasysh as faktin se gripi i shpendëve në SHBA është përhapur masivisht e as faktin se edhe më shumë shpend se kaq, janë vrarë në gusht 2024, për shkak të gripit. Por, krizë të tillë vezësh, nuk kishte asokohe!

