Politike
Ç’ndodh kur partitë politike e kthejnë “gallatën” në strategji të fushatës

Kreu i Lëvizjes BASHKË, Arlind Qori, ka reaguar pas deklaratës së Partisë Socialiste për rritjen e pensionit minimal në nivelin e minimumit jetik. Sipas tij, kjo është një përpjekje për të kopjuar propozimet e Lëvizjes BASHKË, të cilat më parë ishin bërë objekt talljeje nga vetë kryeministri.
“‘Sude me gjyslyke’ më quajti Edi Rama para disa muajsh kur protestonim bashkë me pensionistët për pensione dinjitoze. E dini pse? Sepse Lëvizja Bashkë kërkoi që pensioni minimal të llogaritej në bazë të minimumit jetik, del sot Partia Socialiste dhe premton të njëjtën gjë… Ky është karagjozllëk, është të tallesh me qytetarët dhe të kërkosh t’i manipulosh ata orë e çast,” u shpreh Qori në një video në rrjetet sociale.
Lëvizja BASHKË thotë se ka shpenzuar një vit e tre muaj punë intensive të mbi 50 studiuesve e profesionistëve për të dalë me 177 faqe program. Ndërkohë partitë e tjera, shpjegon Qori, fatkeqësisht kanë zgjedhur gallatën dhe improvizimin si strategji të fushatës së tyre.

