Kronike
Çokollatë – Kanabis dhe armë zjarri, arrestohen
Tre të rinj janë arrestuar nga policia, pasi ishin të përfshirë në trafik të lëndëve narkotike.
L.Gj., 23 vjeç, banues në Pogradec, B. F., 28 vjeçe, banuese në Tiranë dhe G. P., 33 vjeç, banues në Korçë ranë në pranga pasi policia gjeti në makinën e dy të parëve 10 kg kanabis në formë çokollate.
Gjatë kontrollit në banesën e G.P. u gjet edhe një armë zjarri që u sekuestrua. Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore, ka rezultuar se në këtë veprimtari kriminale dyshohet se janë të përfshirë edhe 5 shtetas të tjerë, të cilët u shpallën në kërkim.
Njoftimi i policisë:
Elbasan/Finalizohet, pas një hetimi njëmujor të zhvilluar me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Aksi”. Sekuestrohen 10 kg kanabis dhe 1 armë zjarri pistoletë.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, të DVP Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë Elbasan.
Vihet në pranga edhe bashkëpunëtori i tyre, në banesën e të cilit, Policia e Elbasanit gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë dhe një sasi të vogël kanabisi në formë çokollate.
Shpallen në kërkim 5 shtetas të tjerë, të dyshuar të implikuar në këto veprimtari kriminale.
Strukturat e DVP Elbasan, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje, mbështetur dhe në inteligjencën informative, pas një hetimi njëmujor të zhvilluar me metoda proaktive, nën drejtimin e Prokurorisë Elbasan, kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Aksi”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në fragrancë shtetasit: L. Gj., 23 vjeç, banues në Pogradec, B. F., 28 vjeçe, banuese në Tiranë dhe G. P., 33 vjeç, banues në Korçë.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin tip “Audi”, me drejtues shtetasin L. Gj. dhe pasagjere shtetasen B. F. Gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit u gjetën 10 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, që këta shtetas po e transportonin nga Korça në drejtim të Elbasanit.
Në afërsi të këtij automjeti u kap dhe u ndalua edhe shtetasi G. P., i cili nga veprimet hetimore ka rezultuar bashkëpunëtor me 2 shtetasit e lartpërmendur.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit G. P., shërbimet e Policisë kanë gjetur një armë zjarri pistoletë dhe një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa, në formë çokollate.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma e zjarrit pistoletë, 10 kg kanabis dhe automjeti tip “Audi”.
Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore, ka rezultuar se në këtë veprimtari kriminale dyshohet se janë të përfshirë edhe 5 shtetas të tjerë, të cilët u shpallën në kërkim. Vijon puna për kapjen e tyre.
Punohet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.